Ballina Kronika Ngjarje shumë e rëndë në Itali: 59-vjeçari i preu kokën vëllait pas...

Ngjarje shumë e rëndë në Itali: 59-vjeçari i preu kokën vëllait pas debatit dhe ia hodhi nga ballkoni (VIDEO)

Një rast i tmerrshëm raportohet të ketë ndodhur të mërkurën mbrëma në Pannarano të Italisë, ku një burrë 65-vjeçar u ther për vdekje dhe pastaj iu hoq koka nga vëllai i tij.

Autori i vrasjes më pas e hodhi kokën e vëllait nga ballkoni i shtëpisë në rrugë. Vetë sulmuesi, Benito S., e lajmëroi policinë. Ai u arrestua pa rezistencë, u dërgua në mbajtje dhe u mor në pyetje, raporton gazeta italiane, “Corriere della Sera”, përcjell gazeta “Nacionale”.

Pasi u mor në pyetje dhe hetuesit e rindërtuan skenën e vrasjes brutale, sulmuesi u dërgua në burg në Benevento.

Viktima u identifikua si Annibale S., pensionist 65 vjeç. Vrasja ndodhi brenda një banese në rrugën “Via Piano”. Vrasësi mori një thikë të madhe kuzhine dhe, gjatë një zënke, iu hodh vëllait, duke e goditur disa herë. Sipas një rindërtimi fillestar të skenës, viktima ishte duke fjetur në dhomën e gjumit, kur u ther.

Pastaj, para syve të disa fqinjëve, pasi ia hoqi kokën vëllait, sulmuesi e hodhi atë pjesë trupi në rrugë. Në fund, pasi kërkoi nga një fqinj që ta njoftonte policinë, autori u ngujua në banesë, duke i pritur forcat e sigurisë. Ai ua hapi derën policëve dhe u dorëzua pa rezistencë.

Dy vëllezërit kishin qenë duke jetuar së bashku për disa vjet. Viktima, pas pensionimit dhe pasi i kishte vdekur bashkëshortja, kishte vendosur që të largohej nga Roma, ku kishte jetuar më parë, dhe të kthehej në fshatin Sannio. Në Pannarano kishte shkuar për të jetuar në shtëpinë e familjes, ku jetonte vëllai i tij më i ri.

Sipas fqinjëve, jetesa e përbashkët e dy vëllezërve nuk shkonte mirë dhe kishte shpesh zënka mes tyre. Madje, në fillim të grindjes së mbrëmshme, fqinjët nuk i kishin kushtuar shumë vëmendje problemit të tyre.

Zyra e Prokurorit në Benevento, e cila ka hapur një hetim, së shpejti do ta lëshojë urdhrin për kryerjen e autopsisë. Trupi i viktimës tani ndodhet në morgun e spitalit “San Pio” në Benevento.