Ballina Aktualitet Incidenti i Osmanit, Taravari: BDI po manipulon, shteti s’ka kompetenca mbi sigurinë...

Incidenti i Osmanit, Taravari: BDI po manipulon, shteti s’ka kompetenca mbi sigurinë e aeroportit, i kishte ndodhur edhe Talat Xhaferit

Ministri i Shëndetësisë dhe një nga udhëheqësit e VLEN-it, koalicionit shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka reaguar pas incidentit diplomatik me të cilin u përball presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Taravari ka dënuar incidentin e mbrëmshëm teksa ka thënë se BDI-ja e udhëhequr nga Ali Ahmeti, po përdor gënjeshtra dhe manipulime për dëmtuar VLEN-in.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit.

Si VLEN, shprehim shqetësimin tonë se si një parti politike në Maqedoninë e Veriut, konkretisht BDI, po përdor gënjeshtra dhe manipulime në përpjekje për të dëmtuar vetëm VLEN-in, pa u shqetësuar për pasojat që mund t’i sjellë Kosovës. Ne i bëjmë thirrje opinionit që të ndjekë faktet dhe jo propagandën e BDI-së.

Faktet janë si më poshtë:

1. MPB dhe shteti nuk kanë kompetencë mbi sigurinë e aeroportit, por kjo është në kompetencë të koncesionarit, në këtë rast TAV-it.

2. Sipas Konventës së Vjenës, udhëheqësit shtetërorë kanë trajtim të veçantë gjatë udhëtimit, por detajet e protokolleve të sigurisë i përcakton koncesionari i aeroportit.

3. Një keqkuptim i ngjashëm ka ndodhur edhe kur Talat Xhaferi ishte kryeministër teknik, pse BDI-ja nuk flet për këtë? Dhe e ftojmë BDI-në të përgjigjet nëse gjatë udhëtimeve të tyre kanë shmangur skanerat” – ka shkruar ai, ndër të tjera.

Incidenti është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia. Sipas saj, kur Osmani s’ka pranuar ta dorëzojë telefonin, ka pasur tentim të shtyrjes fizike ndaj saj nga ana e sigurimit dhe se është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ta hapur rrugën.

Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, ka deklaruar Vitia për Gazetën Online Reporteri.net.