Ballina Aktualitet Opinione LEGJITIMITETI

LEGJITIMITETI

Nga Emir Kurtishi, jurist

Legjitimiteti rezulton të jetë fjala më e përdorur pas zgjedhjeve të këtij viti nga politikanët e opozitës së koalicionit “Fronti Evropian”, si koalicion fitues që doli në zgjedhjet e këtij viti, ngjashëm si Napoleon Bonaparta, i cili në vitin 1814, përpara parlamentit francez, edhe pse ishte i mposhtur nga dimri rus, në vitin 1812, tha: “A jeni ju përfaqësuesit e popullit? Jo. Unë katër herë e ftova popullin dhe katër herë i fitova votat e katër milion njerëzve. Unë e gëzoj titullin e legjitimitetit, kurse ju nuk e keni. Ju jeni përfaqësues të departamenteve të imperisë.” Kësisoj, edhe pse Fronti Evropian pretendon se e gëzon titullin e legjitimitetit, këtë herë ngeli në opozitë.

Është e qartë se legjitimiteti e gjen burimin e tij tek mbështetja e popullit. Napoleoni edhe pse ka qenë imperator, sërish ka qenë i vetëdijshëm për nevojën e legjitimitetit të pushtetit të vet me mbështetjen e popullit. Së këndejmi, çështja e legjitimitetit shtrohet si një detyrë për problematimizimin e çështjes së arsyeshmërisë së pushtetit shtetëror, përkatësisht çështjen e natyrës së tij dhe të marrëdhënies së tij ndaj nevojave të anëtarëve të bashkësisë shtetërore. Nga këtu, nuk është e rastësishme që legjitimiteti ka lidhje të drejtpërdrejtë me idenë e jetesës së përbashkët në bashkësinë shtetërore. Në këtë drejtim, Gotfird Lajbnic dhe Johanes Altuzis kanë qenë të mendimit se me referencën “justitia legalis” nënkuptohet ajo qeverisje e mençur në favor të së mirës së përgjithshme, përkatësisht, duke e definuar nocionin e pushtetit legjitim me ndihmën e idejës për të mirën e përgjithshme. Sipas tyre, legjitim janë ato drejtues të cilët kujdesen për shëndetin dhe për të mirën e përgjithshme të bashkësisë shtetërore.

Legjitimiteti në formë të zgjeruar vjen në shprehje në mendimet e enciklopedistëve francez, Kllod Helveciuesi dhe Poll Hollbah. Për shembull, Helveciusi ka konsideruar se pushtetari legjitim është ai, qeverisja e të cilit bazohet në zgjedhje të lira të popullit dhe mbi bazën e kujdesit të së mirës së përgjithshme. Ngjashëm ka menduar edhe Hollbah, duke parashtruar kushte të caktuara për legjitimitetin e pushtetit shtetëror: mbrojtja e lirisë shoqërore, kujdesi për jetë të lumtur të njerëzve dhe qeverisja në pajtim me të qeverisurit.

Nga kjo kuptojmë se legjitimiteti në të kaluarën megjithëse e ka gjetur burimin e vet tek mbështetja e popullit, ka qenë e lidhur me idenë e jetesë së përbashkët dhe të lumtur. Andaj, e natyrshme është edhe definimi i këtij nocioni në teorinë juridike dhe politike që e gjejmë sot, që nënkupton pajtueshmërinë e pjesëtarëve të bashkësisë shtetërore me rastin e formimit dhe funksionimit të pushtetit shtetëror. Si rezultat i asaj, pjesëtarët e bashkësisë shtetërore e pranojnë rendin juridik, me bindjen se ai rend është i mirë dhe se ekzistimi i tij ka arsyeshmëri. Me fjalë të tjera, legjitim është ai pushtet shtetëror i cili mbijeton me pajtimin e të të qeverisurve dhe jo ai pushtet që mbahet me forcën e pushtetarëve.

Legjitimitetin më së miri e gjejmë tek një thënie që thotë: “Nëse konsensusi dhe vullneti i pushtetarëve dhe subjekteve janë njësoj, në atë rast, jeta e popullit është e bekuar dhe e lumtur.”
Në shoqëritë multietnike, sidomos në kushtet dhe rrethanat e vendit tonë, që jetojmë në një shtet unitar, i vetmi model në botë, të paktën për mua, vështirë është të përcaktohet legjitimiteti politik, sidomos së fundmi, me përhapjen e fenomenit të përzierjes së votave, ku shqiptarët kanë votuar për partitë maqedonase dhe anasjelltas e sidomos në një koalicion multietnik ku nuk mund të ndahet lehtë shapi prej sheqerit.

Formimi i Qeverisë është paraparë në nenin 90-të të Kushtetutës së RMV-së, ku thekson se Kryetari i Republikës, mandatin për formimin e Qeverisë ia beson kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend. Më tej, paragrafi 3 i këtij neni thekson se Qeverinë e zgjedh Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Pra, supozohet që një Qeveri që të jetë legjitime sipas Kushtetutës, duhet t’i ketë 61 deputetë nga 120 gjithsej që i ka Kuvendi i RMV-së.

Pretendentët e titullarit të legjitimitetit, si mund ta sqarojnë situatën e vitit 2017, kur partia maqedonase VMRO-DPMNE, e kishte shumicën e mbështetjes së popullit, pra legjitimitetin për ta formuar Qeverinë, mirëpo që në moment të fundit dështoi edhe atë 5 minuta para orës 24:00, dhe mandati i kaloi partisë së dytë maqedonase që kishte më pak deputetë, LSDM-së, por që me partinë shqiptare BDI-në, LR-PDSH (Aleanca për Shqiptarët e sotme e Selës) dhe RDK, arritën në shumicën e paraparë sipas Kushtetutës!

Në këtë prizëm, edhe pse si pasojë e sistemit zgjedhor, mund të thuhet se edhe SHBA-të thuajse në çdo cikël zgjedhor përballen me mungesë të mirëfilltë të legjitimitetit zgjedhor, si në rastin Tramp dhe Klinton, e cila kishte dukshëm më shumë vota popullore rreth 65 milionë kundër 62 milionë që i kishte Donald Tramp, por me vota të elektorëve (304 elektorë), Tramp u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, rasti Al Gori dhe Bush, në SHBA shënohet si rasti më skandaloz që ka ndodhur dikur me rastin e zgjedhjeve të vitit 2000, ku kandidati për president, Al Gori i Partisë Demokratike kishte më shumë vota popullore se kundërkandidati i tij, Bush nga Partia Republikane, edhe atë 50,999,897 vota popullore, përkundër Bush-it që i kishte 50.456.002 vota popullore. Por, ky rast do të mbahet në mend për shkak të ndërhyrjes së Gjykatës Supreme që ka kompetenca të Gjykatës Kushtetuese në SHBA, e cila ekishte vlerësuar kërkesën e Gjykatës së Lartë të Floridas për rinumërim të votave si jokushtetuese, pasi kandidati Al Gore kishte insistuar në ndriçimin e parregullsive zgjedhore, sepse pikërisht në Florida, ai kishte më tepër vota popullore, ndërkaq kundërkandidati i tij Xhorxh Bush, kishte fituar më tepër vota të elektorëve. Si përfundim, Gjykata Supreme e SHBA-së, vendosi në favor të Bush-it, i cili pati fituar 271 vota të elektorëve, të mjaftueshme për të qenë President i SHBA-së. Opinioni i gjerë në SHBA, me këtë rast, Presidentin Bush e pati cilësuar si Presidenti i zgjedhur me vendim gjykateje e jo me votat e popullit. Sidoqoftë, Al Gore u tërhoq nga pretendimi i tij, për ta ruajtur stabilitetin dhe unitetin e shoqërisë amerikane, duke ia uruar fitoren Xhorxh Bush-it.

Si përfundim, për çështjen e legjitimitetit, në një shoqëri multietnike si RMV-ja, por kudo edhe në botë, në ndihmë na vjen pikëpamja e politologut amerikan, Robert A. Dahl, i cili çështjen e legjitimitetit politik e përkufizon me anë të një rezervuari. Për sa kohë që uji është në një nivel të caktuar, stabiliteti politik ruhet, nëse ai bie nën nivelin e kërkuar, legjitimiteti politik rrezikohet. Nga kjo mund të përfundohet se legjitimiteti është materie e cila mund të shkrihet, madje që nga dita e parë e fitimit të pushtetit, nëse premtimet zgjedhore nuk realizohen. Për atë shkak, edhe pse pushtetet e kanë shumicën e duhur për të qeverisur, megjithatë për shkak të shkrirjes së legjitimitetit, shpeshherë vjen deri te organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.