Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka fajësuar stafin e presidentes për incidentin e ndodhur në aeroportin e Shkupit të enjten.
Pacolli ka thënë se presidentja Osmani s’është aspak fajtore për atë që ka ndodhur, ndërsa barrën e përgjegjësisë e ka hequr edhe nga personeli i sigurisë në aeroportin e Shkupit s’janë fajtor, por ka fajësuar stafin e presidentes.
Pacolli ka thënë se fajtorë janë stafi i presidentes Vjosa Osmani, që kanë dështuar të lehtësojnë kalimin e presidentes Vjosa Osmani në aeroport.
“Në përgjigje të shumë pyetjeve që më janë parashtruar sot lidhur me incidentin në aeroportin e Shkupit, dua të theksoj shkurt se; Presidentja, si person me imunitet diplomatik, nuk është ASPAK fajtore për atë që ka ndodhur. Ajo nuk organizon e as qe duhet të organizoi tranzitimin në një aeroport të tretë, kështu që Presidentes i’u është imponuar çdo gjë që ka ndodhur. Po ashtu, edhe personeli i sigurisë në aeroportin e Shkupit nuk është fajtor; ata kanë detyrën të garantojnë siguri të plotë për çdo pasagjer që udhëton me aeroplan. Faji kryesor i takon stafit të presidencës, që shpesh është i mbipopulluar, i panevojshëm dhe jo profesional dhe gjithmonë arrogant. Ky staf ka dështuar sërish në facilitetin e kalimit të presidentes në mënyrë dinjitoze në këtë pikë kufitare aeroportuale”, thuhet në postimin e Pacollit.