Nga Xhelal Zejneli
Recensionin ua dedikoj prindërve të poetit dhe të aktorit – nënës Nazime dhe babait Riza, të cilët me ballin plot djersë e ngritën familjen dhe u kujdesën për të, sikur shqiponja që ngre folenë në maje të kreshtave dhe kujdeset për zogjtë e vet.
“Për ata që dashurojnë kohazgjat pa mbarim” – Uilliam Shekspir
Aktori i Teatrit të Kosovës Selim Ramadani vajti në dritën e botës së amshueshme në moshë të re. Prandaj libri që e promovojmë sot mban titullin “Një melodi e këputur”. Ky titull na përkujton poetin tonë Migjenin (1911-1938) i cili vajti në pavdekësi në moshën 27-vjeçare. Të rinj vajtën në amshim edhe krijues të tjerë, si: Aleksandër Sergejeviç Pushkini (1799-1837),Mihal Lermontovi (1814-1841),Sergej Esenini (1895-1925),Vladimir Majakovski (1893-1930), e të tjerë.
Aktori që luajti Djaloshin në dramën “Duke pritur Godonë” (Enattendant Godot) të romancierit dhe dramaturgut irlandez, kryesisht i shprehjes frënge, Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989), krahas aktrimit është marrë edhe me krijimtari letrare. Ka shkruar poezi, tregime të shkurtra dhe drama. Nga shkrimet e tij mësojmë se ka qenë një i ri dinamik, energjik, i vyer, i zgjuar, i palodhshëm dhe ambicioz. Nga vargjet e tij vërehet se ka qenë një shpirt kryengritës dhe protestues. Për fat të keq, në të gjallë të këtij djaloshi, shkrimet e tij nuk janë përmbledhur në një libër dhe nuk kanë dalë në formë të një përmbledhjeje me poezi apo përmbledhjeje tregimesh. As dramat e tij nuk e kanë parë dritën në formëne një libri të botuar. Vdekja i vjen papritur, mu në lule të rinisë, atëherë kur ka qenë në vrullin më të madh të punës në teatër, atëherë kur e frymëzonte më së shumti muza e poezisë. Në rrethana të tilla, ky autor dhe krijimet e tij letrare disi ranë në harresë. Për veprimtarinë dhe për krijimtarinë e tij munguan shkrimet kritike, studimet letrare, recensionet dhe analizat shkencore. S’kishte si të dilte në pah vlera artistike e krijimeve të tij as edhe cilësia e individualitetit poetik të tij. I riu që kishte lindur mu pranë shpateve të Sharrit plak dhe që luajti Tegjeun në dramën “Feniksi i shpejtë” të dramaturgut bashkëkohor anglez Kristofer Frej (Christopher Fry, 1907-2005), nuk duhej të ishte lënë në harresë. I kemi borxh këtij djaloshi, ne të gjithë. Borxh i ka institucioni ku ka interpretuar plot tetë vjetrole episodike por edhe role kryesore, borxh i kanë klubet dhe shoqatat letrare, borxh i kanë studiuesit letrarë, kritikët letrarë, borxh programet radio-televizive ku shpesh ka qenë i pranishëm, borxh shokët, kolegët dhe mbarë shoqëria.Pa borxh ndaj këtij djaloshi që interpretoi në Godonë e legjendarit Beket, nuk mund të jetë as familja e tij. Punimet dhe krijimet e tij s’ishin dalë si libër. Megjithëkëtë, poezitë e tij ishin botuar nëpër gazeta dhe revista letrare anembanë trojeve shqiptare. Studiuesit letrarë e dinin se ky aktor që kishte luajtur në “Kaligulën” e romancierit, eseistit dhe dramaturgut francez Alber Kamysë (Albert Camus,1913-1960) – shkruan dhe boton poezi, tregime dhe drama. Ai kishte filluar të shkruante qysh në bankat shkollore, mu si simbolisti francez Artyr Rembo (Arthur Rimbaud, 1854-1891). Krijimet poetike të tij botoheshin edhe në organet shkollore. Pa e bërë objekt studimi, analize dhe vlerësimi nuk mund ta përcaktojmë vlerën artistike të asnjë krijuesi. Për të mësuar për vlerën estetike të vargjeve të këtij aktori virtuoz, duhet të merremi me studimin e krijimeve të tij. Studimi, analiza dhe vlerësimi i çdo krijimi artistik bëhet me kritere letrare dhe jo me kritere jashtë-letrare. Ka të tillë të cilët lënien në harresë të këtij poeti e shpjegojnë me arsyetime banale dhe të papranueshme. Ky djalosh që shquhej për urtinë dhe luciditetin, lindi buzë Shkumbinit që derdhej hijerëndë nga lartësitë qiellore të bjeshkëve të Sharrit. Lokja e kishte përkundur në djepin prej drurit të ahut, ndërsa zhurma e valëve të Shkumbinit i këndonin ninulla. U la në harresë për shkak të mendësisë provinciale. provincializmi mund të jetë sinonim i mosdijes, i padijes. Provincializmi nuk është larg injorancës. Provincializmi është vëlla me mendjemadhësinë, arrogancën, megalomaninë, mediokritetin. Ky i ri që luajti në “Edipin mbret” të dramaturgut grek Sofokliut (496 para K. – 406 para K.), krijoi poezi ku riciklohen dhe tensionohen dukuritë dhe situatat ekzistenciale. Megjithëkëtë, askujt s’i shkoi ndërmend të shënonte përvjetorin e lindjes apo të vdekjes të këtij poeti, tregimtari dhe dramaturgu. Mëkat! Revista “Bota e re” kishte shpallur konkurs letrar për krijime letrare artistike më të mira. Ata që shpalleshin fitues e merrnin çmimin “Migjeni”. Në konkurs ishin paraqitur 26 poezi si dhe krijime letrare të tjera, përfshi edhe kritikat. Juria e përbërë nga shkrimtari apo folkloristi Prof.Anton Çetta(1920-1995), nga Prof. Rexhep Qosja(1936- ) dhe nga shkrimtari Daut Demaku(1944- ) e vlerësoi dhe e shpërbleu me çmimin e dytë poezinë “Në solemnitet të një vdekjeje” të shifrës “I pezmatuari”. Nën këtë shifër fshihej emri i SelimRamadanit.
Selimi dhe kolegët e tjerë të teatrit shpesh kanë debatuar për çështjet që kanë pasur të bënin me teatrin. Midis tyre e gjejmë edhe Bekim Fehmiun (1936-2010). SelimRamadani dhe të rinj të tjerë shpesh kanë shtjelluar çështje nga lëmi i kulturës. Në një takim të tillë e shohim të ketë qenë i pranishëm edhe veprimtari, shkrimtari dhe muzikanti, më vonë themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës Jusuf Gërvalla (1943-1982).
Ky djalosh që luan në dramën “Njeriu i mirë nga Seçuani” të dramaturgut gjerman Bertolt Breht (Bertolt Brecht, 1898-1956), ka dhënë kontribut edhe këtu, në qytetin e lindjes. Duke qenë aktor teatri, ai ka pasur ambicie të merret edhe me regji. Në cilësinë e regjisorit ka përgatitur pjesë teatrale edhe për qytetarët e vendlindjes së tij. Për fat të keq, as bashkëvendësve të tij nuk iu kujtua të shënojnë një përvjetor të tij, për ta përkujtuar emrin, punën dhe veprën e tij. Ky ka qenë aktori i parë profesional i këtyre anëve, i shkolluar, i diplomuar dhe i certifikuar. Megjithëkëtë, askujt kjo s’i ka hyrë në punë. I lënë në harresë, emrin e tij s’e shohim dot në asnjë tekst shkollor të arsimit fillor apo të arsimit të mesëm. Emrin e tij s’e hasim dot në asnjë antologji poezish, në asnjë antologji tregimi të shkurtër. Emri i tij nuk figuron si dramaturg, ndonëse ka shkruar edhe drama, përfshi edhe dramat për fëmijë. Ai nuk përmendet në asnjë histori letërsie shqiptare. Më lehtë është të shkruash një roman sesa të afirmohesh si krijues letrar. Rruga për në afirmim është plot gjemba dhe peripeci. Në afirmimin e një krijuesi artistik ndikojnë një sindrom faktorësh, d.m.th. një mori faktorësh. Duke u marrë me ekzistencën, ne s’na mbetet shumë kohë të merremi me esencën. Filozofi ekzistencialist, romancieri, eseisti, dramaturgu francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) thotë “Ekzistenca i prin esencës”.
Duke lënë në margjina apo nën pluhurin e proceseve, nuk pëson vetëm autori i caktuar. Pësojnë edhe lexuesit të cilët mbeten pa krijimet artistike të një autori. Çdo krijim artistik me vlerë mbart me vete një mesazh. Lënia e krijuesit artistik jashtë programit mësimor e privon nxënësin, studentin, lexuesin apo studiuesin letrar nga mesazhi i veprës.
Krijimet e Selim Ramadanit mbartin mesazhe humane. Ato janë në shërbim të njeriut, në funksion të individit. Nga intervistat e dhëna redaktorëve të revistave shihet qartë se ai ka njohuri për letërsinë. Në shkrimet e veta e përdor gjuhën letrare dhe vërehet se posedon një fjalor të pasur. Në tregimet e veta shpesh përdor shprehje frazeologjike. Në thurjen e vargjeve përdor një gjuhë të figurshme. Krijon poezi me strofa katërvargëshe dhe të rimuara. Ka poezi ku vargun e parë e përputh me të tretin, ndërsa të dytin me të katërtin (ACBD), por ka edhe poezi ku vargu i parë përputhet me të dytin, ndërsa i treti me të katërtin (ABCD). Krijon edhe poezi me varg të lirë që e kanë përdorur simbolistët francezë.
Në krijimet e veta trajton tema që ndërlidhen me të tashmen, d.m.th. me çështje të kohës dhe të mjedisit tonë, pra tema aktuale. Në një intervistë SelimRamadani thotë: “Të frymëzohemi nga jeta”.
Në poezitë e veta trajton sidomos motivin social dhe erotik. Ka raste kur në vargjet e tij mbizotëron nota nihiliste dhe një zhgënjim i thellë. I vëren mirë padrejtësitë shoqërore dhe dallimet sociale. Ato i ndjen dhe i përjeton rëndë. Disa krijime të tij të përkujtojnë vargjet migjeniane. S’ka dyshim se ai ka shkruar edhe nën ndikimin e poetit tonë të mjerimit – Migjenit. Me krijimet e veta, ai përcjell mesazhe universale.
Poeti është i lidhur me familjen, sidomos me prindërit. Manifeston një dashuri të thellë për nënëloken dhe për babanë, saqë kjo i shndërrohet në dhimbje dhe në vuajtje. SelimRamadaniluan në dramën “Ushtari i mirë Shvejk” të shkrimtarit dhe humoristit çek Jaroslav Hashek(1883-1923). Ndonëse krijon krijime realiste, ai duke e paraqitur bukurinë e natyrës së vendlindjes, malet, pyjet, kodrat, shpatet, bjeshkët, zabelet, gërxhet, foletë e zogjve shtegtarë, kreshtat, përrenjtë, valët e lumit, gurgullimën e ujit të kristaltë, zhurmëne mullirit – nuk i shmanget dot frymës romantike.
Në poezi poeti manifeston shpirtin e tij kryengritës. Ai krijon poezi revolte. Revoltë ndaj padrejtësive që i vëren kudo. Krijon edhe shkrime refleksive apo filozofike. Poeti dhe dramaturgu nuk është materialist, madje është kundër materializmit. Sipas tij, kuptimi i jetës nuk konsiston te pasuria as te paraja. Ai adhuron lirinë e shpirtit, lirinë individuale.
Në do poezi shkruan edhe për Kosovën të cilën e ka dashur sa vendlindjen e vet.
Në librin “Një melodi e këputur” që e promovojmë sot është përfshirë vetëm një pjesë e krijimeve letrare të këtij autori. Nëpër gazeta dhe revista ndodhen të botuara edhe shumë poezi të tij, shumë tregime të shkurtra dhe disa drama. Duhet shpresuar se në një të ardhme të shpejtë do të dalin në dritë edhe krijime të tjera letrare të këtij autori. Pas kësaj veprat artistike të SelimRamadanit mbase do të bëhen objekt studimi dhe vlerësimi të kritikës sonë letrare.
Në këtë libër janë përfshirë dyzet poezi të poetit, si më poshtë:
Një ditë, Hëna, Për lulen, Nëna, Për lulen time, Gjurma, Krenaria jonë, Flaka e dashurisë, Malli përvëlues, Shokut, Dhimbje, Këngë e dyfishtë për lotin, Betimi, Kënga në oborr të shkollës, Këngë zemre, Kënga për babanë, Malli për në jug (Prishtinë e dashur), Djaloshi që nuk kishte pantallona për dasmë, Këngë për nënën, Pritja, Loja në lum, Dy dëftesa, Këshillë nënës, Zjarri që më dogji, Ajo fluturoi papritmasnjë natë, Ajo që më deshi por më la të ngratë, Këshillë vashës, Përshëndetje, Hajde gëzuar, Dua, Këngë për vetveten, Ti, Emri im i vogël në sytë e festës, Dorëshkrim, I-IV, Betimi, Fjalët i bart era, Në solemnitetin e një vdekjeje, Duhet të jemi më të mirë.
Poezinë e mëposhtme, poeti ia përkushton së ëmës.
NËNA
Si flakë e hovshme që nxeh gjerë e gjatë,
si puhia e pranverës që freskon zemrat,
ashtu zemra ime gufon plot dashuri,
për nënën që shqipton çdo ditë emrin tim
dhe sa herë prej dashurisë më struk në gji.
Oh, nuk kam për ta harruar emrin tënd
thellë në zemër kam për ta ngulur si hu
dhe me njëqind gozhda kam për ta gozhduar.
Je e dashur për birin tënd, për loçkën e barkut
je e dashur nënë, e dashur mbi gjithçka.
Gjimnazist
Nga lirikat e këtij poeti mësojmë se jeta nuk gjë tjetër pos një ecje e pasigurt nëpër një fije teli metalik dhe të ftohtë që e ndan të mirën nga e keqja, kuptimin nga e pakuptimta. Ai krijon poezi vetmie. Vargu i tij është klithmë për bashkim, luftë me vetveten dhe kundër tjetrit, ndarje dherrënim. E përbashkët për të gjithë ka mbetur vetëm frika, marrëzia dhe mosdija.Poeti krijon poezi dhimbjeje,dhimbjeqë e pyet një dhimbje tjetër në është e mundur dashuria, e kjo i përgjigjet – jo.
Vargu i poetit buçet se mbi individin mbretëron një shkëlqim jetëshkurtër shprese shterpe se boshllëku do të mundë të plotësohet,përpjekje kjo sizifianetë cilën perënditë e quajtënjetë.
Poeti shkruante për jetën, njeriun, fatin e individit, dhimbjen dhe vetminë. Sikur e parandiente se shpejt do të shkëputet nga kjo botë, e veshur me shkëlqim dhe plot gjemba.
Nga krijimet artistike të SelimRamadanit shihet qartë se ai i ka njohur pikëpamjet estetike të krijuesve tanë dhe të krijuesve të huaj.
Për dashurinë shkruante me zjarrin e rinisë, ngase prozatori brazilian Paulo Kuelo (Paulo Koeljo,1947- ) thoshte:“Në këtë botë vetëm dashuria i meriton të gjitha. Çdo gjë tjetër s’ka kurrfarë logjike”. Ndërkaq babai i tragjedisë moderne, dramaturgu anglez që e solli vdekjen në skenë, Uilliam Shekspir (WilliamShakespeare, 1564-1616) thoshte:“Për ata që dashurojnë koha është e amshueshme”, d.m.th. zgjat pa mbarim.
Shkrimtari zviceran i cili shkruante në gjuhën frënge, i njohur për teknikat letrare novatore, SharlFerdinadRamuz(CharlesFerdinandRamuz, 1878-1947) thotë: “Ku ka poezi, s’ka vetmi. Poeti në të njëjtën kohë është më i vetmuari, por jo edhe aq i vetmuar sa të tjerët”.
“Poezia është ajo që ëndërrohet, ajo që imagjinohet, ajo që dëshirohet dhe ajo që ndodh shpesh. Poezia, ky është emri më i vërtetë dhe më i dobishëm i jetës” – thoshte poeti dhe skenaristi francez Zhak Prever(JacquesPrévert, 1900-1977).
Kur aktorin ëndërrimtar, SelimRamadanin e shtrëngonin rretë e zeza të qiellit mbi majat e thepisura të Sharrit, ai strukej në strofullin e fjalës artistike. Strukej aty ngase nga psikiatri dhe psikoterapeuti zviceran Karl Gustav Jung(1875-1961) kishte mësuar se “Ai që shikon jashtë zemrës së vet – ëndërron, ndërsa ai që shikon brenda zemrës së vet – zgjohet”. Poezia e poetit tonë të zgjon.
* * *
Përpos poezive, në këtë botim janë përfshirë edhe tregimet e shkurtra: “Pëshpëritjet e natës së fundit”, “Kufoma e varre në pikëpyetje”, “Lumi i dallgëzuar”.
Është përfshirë një fragment nga tregimi“Vogëlushja që nisi të shkruajë dhe të mendojë shumë”.
Janë përfshirë fragmente nga dramat për fëmijë, si: “Këpucët e papastra” dhe “Genc lazdrani”.
Janë përfshirë fragmente nga dramat “Jeta s’është para” dhe “Me sytë kah qielli”, me të cilën ka marrë pjesë edhe në një konkurs letrar.
Prejeseve apo artikujve që i ka botuar nëpër gazeta dhe revista, në këtë botim janë përfshirë: “Shija e publikut tonë”; “Çaste befasie dhe kënaqësie”.
Është përfshirë recitali që e ka përgatitur SelimRamadani për Ditën e Flamurit kombëtar.
Vargje nga recitali i përgatitur prej tij:
“Unë nuk njoh lumturi
shqetësimet në zemër më lulëzojnë
kam mbetur i vetmuar, pa motër, pa vëlla
jam fëmijë i këputur në horizonte të tymosura
ku shkrepin rrufetë dhe në humnerë fërfëllojnë
jam dhimbje e të varfrit, pa bukë,pa ujë mbeta
lot që mbi tryezën e zbrazët lëshohet
jam mall i skllavit, në ndjekje për jetë
mbi rretë e zeza ajri lartësohet
jo, unë s’njoh dot lumturi.”
Ky autor u ka dhënë intervista gazetave, revistave, studiove radio-televizive. Një prej tyre është përfshirë edhe në këtë botim.
Drama “Me sytë kah qielli” e këtij autori ta përkujton tregimin e njohur“Metamorfoza”(DieVerwandlung, 1915)të tregimtarit austriak me prejardhje hebraike Franc Kafka (Franz Kafka, 1883-1924). I verbri në këtë dramë është i tjetërsuar dhe i lënë në vetmi. I frikohet çdokujt, s’i beson askujt. I tillë është edheGregorZamza i “Metamorfozës” së Kafkës i cili me punën e vet ushqente familjen. Një mëngjes, me t’u zgjuar nga gjumi, e sheh veten të shndërruar në kandër apo në insekt.
Aktori, poeti, tregimtari dhe dramaturgu i ndërprerë në lule të rinisë – SelimRamadani, kishte aspiratë të merrej edhe me regji. Në cilësinë e regjisorit ka përgatitur pjesë teatrale edhe për publikun e vendlindjes së vet. Si aktorë i ka angazhuar nxënës dhe studentë. Vetë ai, si nxënës ka qenë anëtar i klubit letrar të Gjimnazit dhe të Normales së Tetovës.
* * *
Për aktrim ka marrë vlerësime nga studiues të ndryshëm. Në analizën me titull “Bashkëkohësimi i një përralle” që ia bën shfaqjes “Feniksi i shpejtë” të dramaturgut bashkëkohor anglez Kristofer Frej (Christopher Fry, 1907-2005), prozatori, poeti dhe publicisti Musa Ramadani(1944-2020) midis tjerash thotë: “S’ka dyshim se ndër ta me diksion më të pastër e natyrshmëri në komunikim skenik, veçohet Selim Ramadani (, fjala e të cilit disi më fuqishëm arrin deri te veshi po edhe shpirti i shikuesit”.
* * *
Vdekja e kishte humbur rrugën, në vargun e tij erëmirë, atë ditë që mbylli qerpikët, sytë e Sharrit si dy lot të mëdhenj kishin ngrirë.
Tetovë, më 24 gusht 2024
Xhelal Zejneli