Në promovim të një libri, disa ditë më parë
Nga breza të vjetër, intelektualë të regjur
Zbulova, si të them, një Xhevahir të rrallë
Që shoqëria jonë (…) me vite e kish fshehur
Kolegët e tij të dikurshëm aktorë e studentë
Që na nderuan me praninë, e thanë njëzëri:
Të gjithë ishim punëtorë, plot zell e vullnet
Me talente e aftësi, por si ai s’ish asnjëri
Na rrëfyen për jetën dhe vitet studentore
Në Prishtinën e filleve të saj universitare
Leximin e pandërprerë të veprave botërore
Dhe vënien në skenë e përshtatjen gjeniale
Aktori me kaçurrela, siç tha një i pranishëm
Ishte i zgjuar e i bukur, me trup atletik
Në ndarjen e roleve, ishim të vetëdijshëm
Vetëm ai do t’i bënte, të heronjve simpatikë
Pos tjerash, Selimi ishte marrë me shkrime
Në jetën e tij biologjike tejet të shkurtër
Të mbledhura tashmë të gjitha ato krijime
Në librin e qëlluar “Një melodi e këputur”
Nga vetë libri dhe miqtë e tij, mësova
Sa ëndrra dhe dëshira ai Yll kishte patur
Të emancipohet populli, sidomos Tetova
Ndonëse me pengesa e sfida ish përballur
Pikërisht si te drama “duke pritur Godonë”
Pas ikjes së tij, populli s’di ç’kish pritur
Le që teatri te ne nuk pati aq jehonën
Mediokër sharlatanë, e kishin katandisur
Sikur ai ta dinte, më pas çfarë ka ngjarë
Që nga shuarja në vitin shtatëdhjeteshtatë
Kur mendoj më thellë, më vjen për të qarë
Tetova ende ka mbetur, degë druri e thatë
Shpresoj t’kemi marrë një leksion të mirë
Siç bëjnë gjithandej popujt e shoqëritë
Për të shkëlqyer si ai…në asnjë mënyrë
S’duhet të lejojmë t’na këputen meloditë
Sot që kemi mundësi, na mjafton vullneti
T’bëjmë diçka sublime, për nder të këtij vigani
Teatri i Tetovës dhe ndonjë rrugë qyteti
Sa më parë të emërohen: Selim Ramadani
Lirim Alija, Tetovë 26 gusht 2024