Shoku i ngushtë i Enver Ballës, burrit që u vra nga djali i tij në Shënavlash dhe pastaj u hodh në pus, ka treguar për marrëdhëniet mes viktimës dhe djemve të tij.
“Kanë shkuar shumë mirë baba dhe djali. Se si ndodhi kjo tani, fundin nuk e di. Djalin e njohim, babën e njohim, të gjithë i njohim… Babë e bir kanë shkuar mirë, saqë e martuan babën. Ky që ka bërë këtë akt të shëmtuar e ka martuar babën”, u shpreh shoku i Enverit për A2.
34-vjeçari Esmerald Balla pranoi para hetuesve se kishte vrarë babanë e tij 62 vjeçar Enver Ballën, e për ta zhdukur e kishte hedhur në pus.
Për të fshehur gjurmët 34 vjeçari kishte denoncuar në polici dhe zhdukjen e babait të tij që më 13 gusht, por dyshimet e hetuesve ishin tek një krim në familje.
Fqinjët e familjes Balla janë shokuar nga ngjarja e rëndë. Pas disa seancash marrje në pyetje të 34 vjeçarit ai pranoi krimin, ndërsa dyshohet se shkak u bë një kasafortë me rreth 75 mijë euro brenda saj.
Burime pranë grupit hetimor thanë se kasaforta e mbyllur ndodhej në dhomën e 34-vjeçarit. Ai i ka thënë policisë se kishte arritur ta hapte me gur fresibël në pjesën e pasme dhe nga aty merrte para.
Në momentin që babai i tij ka zbuluar se mungonin shuma të konsiderueshme ka nisur konfliktet me djalin e tij ndërsa mëngjesin e 13 gushtit i biri e qëlloi për vdekje me pistoletë.
Përveç Esmerald Ballës, i cili akuzohet për vrasjen e babait të tij, Policia e Durrësit ka arrestuar një 25-vjeçar, Edison Brahaj, i cili akuzohet se ka ndihmuar Esmerald Ballën që të transportonte dhe të hidhte në pus trupin e pajetë të babait të tij.
Gjatë kontrollit në banesën e Brahajt u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh. Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.