Ballina Aktualitet Mickoski: Do zbatoj ligjin e gjuhëve, nuk ka rrezik për destabilizim në...

Mickoski: Do zbatoj ligjin e gjuhëve, nuk ka rrezik për destabilizim në Maqedoninë e Veriut

I pyetur per ligjin e përdorimit të gjuhëve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristian Mickoski, u shpreh se do ta zbatojë atë dhe Kushtetutën pavarësisht mospajtimeve me të.

“Ndoshta edhe mua më paraqet problem diçka që është bërë në të kaluarën me Kushtetutën, dhe sado që të mos pajtohem dhe të jem kundër, siç është përdorimi i mbiemrit “E Veriut”, unë derisa ta ushtroj këtë funksion do të qëndroj para kësaj shenje, sepse nuk dua që në këtë mënyrë ta lëndoj Kushtetutën e Maqedonisë dhe Ligjet e Maqedonisë”, tha Mickoski.

Mickosi hodhi poshtë mundësitë për destabizlimin e vendit.

“Nuk besoj se do të ketë mundësi për destabilizim… Unë jam person që i respektoj ligjet dhe Kushtetutën dhe nuk pres që kushdo qoftë që merr pagë në kurriz të qytetarëve  këtu te ne, të mos i respektojë ligjet e Maqedonisë dhe Kushtetutën e Maqedonisë”, tha ai.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se këtë muaj do të duhet të marrë një vendim rreth iniciativës që është dorëzuar për vlerësimin e kushtetueshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Në vitin 2018  Kuvendi i Maqedonisë së Veriut  miratoi   këtë ligj  për  përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, çka solli  avancimin e  përdorimit  zyrtar  të gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror.

Ligji u miratua në atë kohë me 69 vota ndërsa në seancë  nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të asaj kohe  të udhëhequr nga VMRO DPMNE e cila ligjin e cilëson antikushtetues. Po ashtu edhe president i asaj kohe Ivanov nuk e firmosi ligjin./vizionplus.tv