Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në debatin e përgjithshëm të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku u mblodhën më shumë se 140 liderë botërorë dhe përfaqësues shtetërorë, ka hedhur akuza të rënda nga shteteve të mëdha demokratike.
Në fjalën e tij, ai ka akuzuar perëndimin se kanë shkelur ligjet ndërkombëtare në rastin e Kosovës, teksa ka lexuar edhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së për Kosovën.
Aty, sipas tij, thuhet se në Kosovë nuk lejohet asnjë forcë e armatosur, përpos KFOR-it.
Vuçiqi i quajti “agresorë” shtetet perëndimore, të cilat vazhdojnë të mbështesin Kosovën e pavarur. “Ata që kryen agresion ndaj Serbisë, që tentojnë të ndajnë një pjesë të territorit të saj, ende tentojnë të na bindin se e vetmja zgjidhje demokratike dhe e arsyeshme është ndarja e Kosovës dhe Metohisë nga Serbia dhe po i ofrojnë armatim çdo ditë asaj që vetëquhet sot e ashtuquajtur Forcë e Armatosur e Kosovës dhe ajo që nesër do të bëhet Forcë e Armatosur e Shqiptarëve në territorin e Serbisë”.
Ai tha se i ka pyetur ndërkombëtarët se në bazë të çfarë dokumenti ndërkombëtar e bëni këtë, dhe thotë se merr përgjigjen “më budallallëqe të mundshme në botë”. “Ne nuk e pranojmë kartën e OKB-së dhe Rezolutën, sepse për ne situata ka ndryshuar, sepse e kemi njohur pavarësinë e Kosovës 15 vjet më parë”, tha Vuçiqi.
Me këtë, ai tha se na thonë se Serbia e merr mesazhin se “ne jemi fuqia, jemi Zoti, nuk na intereson për OKB-në, për ligjin. Mund të bëjmë çfarë të duam, si të duam dhe kur të duam”.
Ai kërkoi ndihmë nga shtetet “mike” siç i quajti ai, e jo nga “shtetet kukulla e satelite”. “Çfarë mund të bëjmë ne si shtet i vogël, si të luftojmë? Sepse të gjithë në botë flasin për Ukrainën, e askush për Serbinë. Por edhe nëse flasin, thonë se po duam të nisim një luftë në Ballkan me urdhër të Rusisë. Kanë gënjyer për dy vjet e gjysmë”.
“Nuk jemi shërbëtorë as të Rusisë e as të ShBA-së”, tha ai, teksa mori duartrokitje nga hiç më pak se ish-ambasadori i Serbisë në ShBA, tash ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq.
Ndër të tjera, Vuçiqi foli edhe për dialogun me Kosovën nën lehtësimin e BE-së, për çka tha se vendi i tij është i përkushtuar që ta vazhdojë.
“Do të mbesim të përkushtuar në dialogun me Prishtinën, dhe do të luftojmë të ruajmë paqen”, deklaroi Vuçiqi në fjalën e tij.