Aktivitetet mediatike në periudhën paszgjedhore, integriteti i gazetarëve, raportimi objektiv dhe ndjekja e procesit zgjedhor, si dhe nevoja për ngritjen e kapaciteteve në gazetari për avancimin e profesionit, ishin disa nga temat që u diskutuan në aktivitetin e sotëm, në kuadër të Javës së Edukimit Mediatik. Ky aktivitet u realizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), transmeton Portalb.mk.
Ngjarjen e hapi Mlladen Çadikovski, kryetari i SHGM-së, i cili u ndal te gjendja e mediave në Maqedoni, sfidat me të cilat përballen gazetarët dhe nevojën për trajnime shtesë përmes Akademisë së Trajnimit të SHGM-së.
“Nuk ka informim të mirë pa siguri ekonomike, siguri për gazetarët dhe trajnime të vazhdueshme. Megjithatë, është e kotë të kemi gazetari pa redaksi cilësore, tema dhe hulumtime të rëndësishme, ndaj duhet të punojmë në këto aspekte,” theksoi Çadikovski.
Fjalën e mori edhe Joana Kozma, përfaqësuese e Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), e cila theksoi rëndësinë e transparencës në procesin zgjedhor dhe rolin e pazëvendësueshëm të gazetarëve në këtë proces.
“Kjo është jetike për çdo demokraci dhe çdo shoqëri, por nuk është e mjaftueshme. Një segment tjetër i rëndësishëm përfshin ngjarjet midis zgjedhjeve, duke qenë se është e domosdoshme monitorimi i veprimeve të qeverisë, dhe media ka një rol kyç në këtë proces,” tha Kozma.
Ngjarja u nda në dy sesione. Tema e sesionit të parë ishte – Respektimi i integritetit në gazetari: garantimi i transparencës në ndjekjen e sukseseve të politikave qeveritare, ku diskutuan Sashka Cvetkovska nga IRL, Vasko Popetreski nga “360 Shkallë”, Ana Petrusheva nga BIRN dhe Miomir Serafinoviç nga TV Telma.
Secili prej tyre prezantoi pikëpamjet e veta. U përmendën disa probleme kryesore, si mungesa e interesit për profesionin nga gazetarët e rinj, ulja e cilësisë së informacionit të paraqitur nga disa media, shtimi i numrit të mediave online në periudhën parazgjedhore, pagat e ulëta të gazetarëve dhe kriteret mesatare në disa media, si dhe rritja e informacionit të sponsorizuar nga agjencitë PR, të porositura nga qendrat e fuqisë.
Sesioni i dytë kishte temën – Akademia e Trajnimit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë si forcë shtytëse për rritjen e kapaciteteve të punonjësve mediatikë, garantimi i integritetit dhe transparencës, ku përvojat dhe pikëpamjet e tyre i ndanë Llazar Sandev, që foli për aspektet ligjore të trajnimit të gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, Marina Tuneva që theksoi dimensionin etik të trajnimit, dhe Besim Nebiu që foli për forcimin e profesionalizmit përmes trajnimeve të dedikuara gazetarëve.
Ditët e edukimit mediatik u hap me 28 tetor, ku dhe u tha se edhe pse nga inteligjenca artificiale (IA) ka përfitime të mëdha, përdorimi i saj sjell edhe rreziqe, si për shembull përdorimi i saj për të ashtuquajturat qëllime të këqija që cenojnë mbrojtjen e privatësisë, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. “Prandaj është e nevojshme që të ketë rregullore të qarta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Milla Josifovska Danillovska, menaxhere e programeve në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”.
Ndryshe, vitin e kaluar Ditët e edukimit mediatik filluan më 24 tetor dhe zgjatën deri më 31 tetor, nën moton “Gisht i shpejtë, lajme të rreme”. Dhjetë panele diskutimesh, debate online, ekspozita, ditë të hapura në media, shkolla studentore dhe sesione publike u organizuan nga anëtarët e Rrjetit.