Herët në mëngjes, para Klubit të Partisë për Emancipimin e Plotë të Romëve, i cili gjendet në një kafene në Tetovë, është hedhur një bombë dore, e cila fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Autori fillimisht theu xhamin e derës dhe aty e la bombën. Por më vonë ai u kthye për të kontrolluar nëse bomba kishte shpërthyer. Pasi nuk arriti ta aktivizonte, ai u largua. E gjithë kjo është regjistruar në kamerat e sigurisë të ndërtesave përreth.
Kryetari i kësaj partie, Samka Ibraimovski nuk e di pse dikush ka dashur t’ua rrënojë klubin dhe për momentin nuk sheh prapavijë politike në këtë akt.
“Në orën 04:23 personi erdhi këtu, theu xhamin, hodhi bombën, nuk shpërtheu, kështu që pati guximin të kthehej për të parë nëse bomba ishte aktivizuar apo jo”. Fatmirësisht nuk u aktivizua, po të ishte aktivizuar do të kishte bërë shumë dëme. Anëtari ynë i partisë që erdhi në klub mëngjesin e sotëm filloi të fshinte xhamin e thyer pa e vënë re bombën, ka mundur që padashur ta shpërthejë atë. Është një bombë kashikara e tipit të vjetër që ka një efekt të madh shkatërrues. Ne si parti politike nuk kemi vërejtje dhe as nuk jemi ankuar tek askush përveç disa keqkuptimeve me ekzekutorët. “A është kjo arsyeja apo diçka tjetër, shpresoj se do ta zbulojmë së shpejti”, tha Ibraimovski.
Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë kryer hetim, ndërsa ekipi i antiterrorizmit e ka larguar në mënyrë të sigurtë bombën e paplasur./TetovaNews