Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Prokurorinë Themelore Publike Tetovë janë duke ndërmarrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e ngjarjes në fshatin Sllatinë të Tetovës, ku dje janë gjetur pa shenja jete nëna dhe fëmija.
Gjetjet fillestare nga autopsia, të njoftuara sot nga MPB, tregojnë për helmim si shkak të mundshëm të vdekjes së personave, andaj nga të ndjerit janë marrë mostra për analiza shtesë toksikologjike për të përcaktuar shkakun e helmimit.
– Tek të ndjerat nuk janë konstatuar gjurmë të tjera dhune. Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik do të merren mostra të gjakut dhe urinës nga anëtarët e tjerë të familjes – babai dhe një fëmijë tjetër, për të kontrolluar praninë e mundshme të toksinave edhe te ata. Po ndërmerren masa të tjera për zbardhjen e plotë të rastit, njofton MPB, transmeton Tetova News.
Tetova News mëson se varret janë bërë gati në fshatin Sllatinë, po r varrimi është shtyrë, ndërsa familjarët nga prindërit e gruas së ndjerë do të hapin të pame në Qendrën e Vjetër Tregtare në Tetovë.
Informacionet e fundit për vdekjen e dyfishtë në Sllatinë të Tetovës, thonë se babai është lëshuar nga policia dhe është dërguar në Spital për të vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore.
Kujtojmë se babai ishte në procedurë të marrjes në pyetje dhe nga dje qëndronte në stacion policor, por pas hetimit të fakteve, ai është liruar.