Një grup prej rreth 30 deputetësh të Partisë Demokratike kanë nisur protestën këtë të mërkurë jashtë ambienteve të Parlamentit Europian, ndërkohë që disa kolegë të tyre vijojnë takimet zyrtare me eurodeputetët.
Deputetët Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Qani Xhafa, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Ludovik Hasanaj, Kasem Mahmutaj, dhe Petrit Doda, kanë marrë pjesë në atë që ata e cilësojnë si një fushatë sensibilizuese për të njohur eurodeputetët me faktet e arrestimit politik të Kryetarit të PD dhe Liderit të Opozitës, Sali Berisha.
Ata kërkojnë monitorimin e situatës dhe lirimin e menjëhershëm të Berishës, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje për të cënuar barazinë e palëve në zgjedhje. “Jemi në një vit zgjedhor, dhe drejtësia po përdoret për të goditur drejtuesit e opozitës, në mënyrë që Edi Rama të konkurrojë me vetveten dhe të mbajë pushtetin me dhunë,” shprehen ata.