Ballina Aktualitet Propozim buxheti 5.8 miliardë euro, Mickoski: Rritje rrogash e pensionesh, mbështetje rinisë

Propozim buxheti 5.8 miliardë euro, Mickoski: Rritje rrogash e pensionesh, mbështetje rinisë

Pasi projekt buxheti për vitin e ardhshëm i cili është projektuar në 5.8 miliardë euro, kaloi filtrin e Qeverisë, dhe i njëjti pritet që shumë shpejt të gjendet para deputetëve. Sipas numrit një të Qeverisë, Hristijan Mickoski, rritja ekonomike është planifikuar në nivelin prej 3.7 për qind, deficiti buxhetor në 4 për qind, ndërsa inflacioni në 2.2 për qind.

Sipas tij të ardhurat në buxhetin 2025 janë paraparë për 13 për qind më të larta sesa në buxhetin e vitit 2024, ndërsa shpenzimet për 10 për qind më të larta.

Sipas Mickoskit, në këtë buxhet interes i veçantë i është kushtuar edhe politikave për të rinjtë, ku në këtë drejtim është duke u realizuar investim në përmirësimin e kushteve të konvikteve, ku janë derdhur 18 milionë euro.

Po ashtu janë paraparë edhe 250 euro për çdo student për aparatet digjitale dhe 10 milionë euro si grande për fillim të bizneseve.

“Pres që rritja ekonomike të jetë diku 3.7 për qind. Investimet kapitale janë të projektuara diku rreth 50 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është projektuar rreth 41 dhe 42 miliardë denarë. Por, në këtë drejtim pres edhe harmonizim të politikave me palën bullgare për rrugën hekurudhore në korridorin 8. Në sektorin e arsimit, e në veçanti në arsimin fillor dhe të mesëm tashmë kemi një marrëveshje me sindikatën që pagën tash që do ta marrin, do të jetë me 5 për qind rritje, dhe ashtu do të jetë deri në mars të vitit 2025, pastaj mars do ta rrisim edhe për 7 për qind, në vitit 2026 dhe 2027 pagat do të rriten në mes 7.5 për qind deri në 10 për qind, në vitit 2028 do të ketë rritje mes 10 dhe 12.5 për qind. Ndërsa në shëndetësi pres që të hënën të ulemi me sindikatën e tyre dhe të arrijmë një marrëveshje. Në arsimin e lartë këtë vit marrin 30 për qind paga më të larta, po ashtu në marrëveshjen kolektive janë përfshirë edhe armata, policia.”, – deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Sipas projeksioneve në propozim buxhetin për vitin 2025, për pagesën e pensioneve janë ndarë 105 miliardë denarë ose 15 miliardë denarë më shumë se sa ishte paraparë për këtë vit.

Për pagesën e pagave janë paraparë 48 miliardë denarë, janë siguruar 14.5 miliardë denarë për përkrahje të kategorive të cenueshme, për shëndetësi gjithsej 53.4 miliardë denarë, investimet kapitale në nivelin mbi 44 miliardë denarë. (Fitim Kryeziu, TVM2)