Ballina Aktualitet Raport – progresi, Mickoski: Pasqyrë reale për gjendjen tonë

Raport – progresi, Mickoski: Pasqyrë reale për gjendjen tonë

Me raport – progresin fitojmë një pasqyrë reale për gjendjen se ku jemi…
Me raport – progresin fitojmë një pasqyrë reale për gjendjen se ku jemi, çfarë është bërë gjatë vitit të kaluar dhe se ku duhet të fokusohemi në reformat, tha kryeministri, Hristijan Mickoski, pasi ka pranuar progres raportin nga euroambasadori, Rokas.
Kryeministri tha se edhe më tej dobësitë më të mëdha janë detektuar në klasterin një, përkatësisht në pjesët e ndërlidhura me sundimin e së drejtës dhe reformat në administratë. Ai tha se si qeveri vazhdojnë të kenë prioritet luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Nuk do të them se për dy muaj në Qeveri që i ka kapur raporti kemi bërë çudira. Edhe pa këtë raport si njeri i parë i Qeverisë e di që qytetarët jetojnë vështirë dhe se duhen hapa kyçe përpara, reforma kyçe dhe ajo që për mua është e rëndësishme, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk do të ndalojmë me reformat për shkak se ajo është mënyra e vetme për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë dhe të përforcojmë dosjen maqedonase në rrugën drejt anëtarësimit në BE.  Jo vetëm për plotësim të kushteve në mënyrë teknokratike, por për shkak të përparimit real dhe transformimit evropian në kuptimin e vërtetë të fjalës.”, – deklaroi kryeministri,  Hristijan Mickoski.
Rokas: Të punojmë për një raport më të mirë
Në raportin e progresit është detektuar një progres i mirë dhe i caktuar në disa fusha, por edhe i kufizuar dhe në disa fusha nuk ka progres. Euroambasadori Rokas inkurajoi Qeverinë që të punojë për një raport – progres më të mirë vitin e ardhshëm.
“Ka progres të kufizuar ose të caktuar në disa fusha, por e rëndësishme është që nuk ka stagnim. Ne me të vërtetë do të punojmë së bashku, që për vitin e ardhshëm kur ta punojmë përsëri këtë raport të themi se ka përparim më të madh.”, – theksoi shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Mihajl Rokas.
Gashi: Objektiv, vërejtjet të korrigjohen
Euroambasadori Mihajl Rokas, ka takuar sot edhe kryeparlamnetarin, Afrim Gashi, të cilit i ka dorëzuar raportin vjetor të progresit për vendin. Kryeparlamentari Gashi thotë se vërejtjet e Komisionit Evropian duhet të merren seriozisht për t’i mënjanuar në favor të së ardhmes evropiane të vendit.
“Ne përfundimisht duhet të jemi vetëkritik dhe sinqerisht të shohim vërejtjet dhe të mundohemi bashkë që t’i korrigjojmë. Sa më shpejt t’i korrigjojmë këto çështje, fillimisht është për të mirën tonë, por edhe për raportin tonë kundrejt integrimit të vendit në BE.”, – u shpreh kryeparlamentari, Afrim Gashi.
Petrovska: Duhet hap konkret drejt integrimit
LSDM-ja opozitare pret një fotografi reale të zhvillimeve në vend. Socialdemokratët konsiderojnë se Maqedonia e Veriut ka akoma shansin që të vazhdojë bisedimet, por duke hedhur hap konkret.
“Me rëndësi thelbësore është të bëjmë hap të rëndësishëm drejt afrimit në Bashkimin Evropian. Ne mund të flasim dhe numërojmë se sa ligje do të miratojmë në të ardhmen, sa strategji dhe të debatojmë për zbatimin e tyre, megjithatë në këtë rast, por edhe porositë e Von der Lejen ishin të qarta se çfarë Maqedonia e Veriut duhet bërë në këtë proces.”, – theksoi deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.
Draft – progresi për Maqedoninë e Veriut në formë të prerë kërkon nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe reformat drejt BE-së.