Ballina Aktualitet Raporti i Komisionit Evropian, Siljanovska: Bisedime sipas kritereve të Kopenhagës

Raporti i Komisionit Evropian, Siljanovska: Bisedime sipas kritereve të Kopenhagës

Pushteti konsideron se raporti i Brukselit do të jetë i ngjashëm me raportet paraprake të progresit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova thotë se raporti i 17-të do të jetë pozitiv, do të theksohen ndryshimet, por sipas presidentes s’do të dallojë nga raporti paraprak. Presidentja konsideron se është koha që vendi të nisë bisedimet sipas kritereve të Kopenhagës.
“Kuptohet se do të thuhen problemet, pasi jo rastësisht erdhi deri tek ndryshimi i pushtetit. Theksoj se kur janë në pyetje 16 raporte pozitive, atëherë është në pyetje kredibiliteti i përpiluesve të raporteve. Është koha që ne të nisim bisedimet, por në prizmin e kritereve të Kopenhagës.”, – deklaroi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
Mickoski: Përparime në disa fusha, Gashi: Objektiv, vërejtjet të korrigjohen
Vlerësim i ngjashëm edhe nga kryeministri, Hristijan Mickoski, sipas të cilit mund të ketë përparime të caktuara.
“Pres të jetë i ngjashëm sikurse raporti i kaluar, ndoshta në disa fusha përparime, por ta marrim zyrtarisht dhe do ta komentojmë.”, – theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeparlamentari Afrim Gashi thotë se vërejtjet e Komisionit Evropian duhet të merren seriozisht për t’i mënjanuar në favor të së ardhmes evropiane të vendit.
“Ne përfundimisht duhet të jemi vetëkritik dhe sinqerisht të shohim vërejtjet dhe të mundohemi bashkë që t’i korrigjojmë. Sa më shpejt t’i korrigjojmë këto çështje, fillimisht është për të mirën tonë, por edhe për raportin tonë kundrejt integrimit të vendit në BE.”, – u shpreh kryeparlamentari, Afrim Gashi.
Petrovska: Duhet hap konkret drejt integrimit
LSDM-ja opozitare pret një fotografi reale të zhvillimeve në vend. Socialdemokratët konsiderojnë se Maqedonia e Veriut ka akoma shansin që të vazhdojë bisedimet, por duke hedhur hap konkret.
“Me rëndësi thelbësore është të bëjmë hap të rëndësishëm drejt afrimit në Bashkimin Evropian. Ne mund të flasim dhe numërojmë se sa ligje do të miratojmë në të ardhmen, sa strategji dhe të debatojmë për zbatimin e tyre, megjithatë në këtë rast, por edhe porositë e Von der Lejen ishin të qarta se çfarë Maqedonia e Veriut duhet bërë në këtë proces.”, – deklaroi deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.
Draft progresi për Maqedoninë e Veriut në formë të prerë kërkon nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe reformat drejt BE-së.
Maqedonia e Veriut nisi zyrtarisht bisedimet me konferencën e parë ndërqeveritare në korrik të vitit 2022 dhe ka përmbyllur vetëm procesin e skriningut, ndërkohë që së fundmi u shkëput nga pakoja me Shqipërinë në mungesë të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese.