Një goditje rrufeje gjatë një ndeshje të ligës lokale të futbollit në Perunë qendrore, la të vdekur një lojtar dhe plagosi katër të tjerë javën që lamë pas.
Pamjet e ndeshjes treguan lojtarët duke dalë nga fusha në stadiumin Coto Coto në qytetin Chilca, pasi loja ishte ndërprerë për shkak të një stuhie, raporton CNN.
Disa lojtarë u panë duke rënë fillimisht me fytyrë përtokë ndërsa rrufeja goditi fushën. Një shkëndijë e shkurtër dhe një re e vogël tymi u panë pranë njërit prej lojtarëve, tregoi një transmetim në stacionin televiziv lokal “Onda Deportiva Huancavelic”.
Disa sekonda më vonë, disa lojtarë u duk se kishin vështirësi për t’u ringritur.
Lojtari i ndjerë u identifikua nga autoritetet dhe media shtetërore si mbrojtësi Hugo De La Cruz, 39 vjeç.
Goditjet e rrufesë mund të shkaktojnë lëndime të rënda te njerëzit dhe, në raste të rralla, mund të jenë fatale.
Mundësia për t’u goditur është më pak se një në një milion, sipas Qendrave të ShBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Pothuajse 90% e të gjitha viktimave të goditjes nga rrufeja mbijetojnë, sipas CDC, por efektet mund të jenë serioze dhe afatgjata. Të mbijetuarit kanë përjetuar lëndime dobësuese, djegie dhe simptoma, duke përfshirë konvulsione dhe humbje të kujtesës.
Në vitin 2020, një portier rus 16-vjeçar i mbijetoi një goditje rrufeje gjatë një seance stërvitore.
Megjithëse ai pësoi djegie të rënda dhe mjekët e futën në koma të induktuar, adoleshenti u shërua shumë javë më vonë.