Tabloidi britanik “Daily Mail” i ka kushtuar vëmendje rastit të zhdukjes pa lënë gjurmë të një 28-vjeçari australian në alpet shqiptare në veri të vendit. Në një shkrim të botuar online thuhet se ka “teori të zymta” që rrethojnë fatin e të riut të identifikuar si Cameron Twiss.
Sipas shkrimit frika është se alpinisti i zhdukur në Shqipëri mund të jetë sulmuar për vdekje nga një ari.
I riu u pa për herë të fundit më 13 tetor pasi u nis në një shteg 17 km midis Valbonës dhe Thethit, një pistë mjaft popullore dhe e rrahur nga turistët. Twiss thuhet se po udhëtonte i vetëm dhe pa një udhërrëfyes. Policia dhe vullnetarët e Shërbimit të Kërkimit dhe Shpëtimit Malor të Shqipërisë dhe Kosovës kaluan dy javë zhgënjyese duke kërkuar në këmbë, me helikopterë dhe me dronë për australianin e zhdukur.
Të shtunën, një vullnetar i Shërbimit Shqiptar të Kërkimit dhe Shpëtimit tha se mundësia ishte që Twiss të mund të ishte sulmuar nga një ari i murrmë. Sulme të tilla janë jashtëzakonisht të rralla pasi vetëm 200 grabitqarë të tillë ende në natyrë, por disa nga kjo kafshë janë pikasur në afërsi të shtegut.
Udhërrëfyesi turistik Arben Kola i tha gazetës “Adelaide Advertiser” se fillimisht mendoi se Twiss mund të ishte çorientuar në një udhëkryq të ndërlikuar. Megjithatë, ekipet e kërkimit dhe shpëtimit kanë përcaktuar se Twiss kishte ndjekur rrugën e duhur përpara se të zhdukej. “Kjo vetëm e shton misterin”, tha Kola.
Twiss është misteri i dytë i tillë në dy muaj, pasi një burrë lituanez u zhduk në këtë rrugë në shtator. Pasi u ngrit alarmi, autoritetet gjetën sendet personale dhe pasaportën e Twiss në hotelin e tij në qytetin e Shkodrës. Purnima Flanagan, një mike e Twiss, ka shpërndarë mesazhet e saj të fundit me të zhdukurin. Në mesazhin e fundit të dërguar, Twiss tha se po pinte vodka me një “shqiptar të rastësishëm”.
“Ky ishte Cameron. I pëlqen të flasë dhe të bashkohet me njerëzit. Ai ishte udhëtari i përsosur dhe gjithmonë bënte miq kudo që shkonte”, tha ajo. Flanagan tha se Twiss ishte nisur në shtegun e Valbonës me një grup turistësh nga qyteti, por një rrugë të shkurtër vendosi ta bënte i vetëm. Vetëm pasi një numër i madh i mesazheve të saj mbetën pa përgjigje, ajo mësoi se ai ishte zhdukur.
“Unë thjesht nuk e kuptoj se si askush nuk mund të kishte parë apo dëgjuar asgjë. Ai duhet të kishte bërë miq në atë qytet. Ai ishte një alpinist me përvojë dhe ishte i mirë me drejtimin”, tha ajo. Përpjekjet zyrtare të kërkimit u ndërprenë më 3 nëntor.
Në Theth, alpinistët holandezë me përvojë Gido dhe Stella i thanë “The Advertiser” se kishin parë fletushka të personave të zhdukur si për Twiss ashtu edhe për udhëtarin lituanez. Ata thanë se u shqetësuan duke dyshuar për diçka më të keqe.
“Në fillim po mendoja. “Oh a kishte ndonjë rrëmbim këtu”, ose diçka e tillë”, tha Stella. Megjithatë, të dy alpinistët besojnë se Twiss ka të ngjarë që të ketë humbur rrugën. “Unë mendoj se është gjithmonë e rrezikshme në male, veçanërisht kur je lart… një hap mund të jetë fatal”, tha Gido.