Bora e parë mëngjesin e sotëm është vërejtur në Vodno. Nga kamerat e vendosura në Vodno nga Ndërmarrja e Transportit Publik “Shkup”, shihet se në majë ka mbulesë bore, por edhe mjegull, transmeton Portalb.mk.
Mëngjesin e sotëm me një shtresë të vogël bore u mbuluan edhe disa pjesë të qendrave turistike dimërore.
Shoqata për promovimin e qendrave të skijimit, “Ski Makedonija”, në kanalin e saj në YouTube transmeton video live nga Ponikva dhe Kodra e Diellit, ku mund të shihni gjendjen e këtyre qendrave të skijimit.
Nën mbulesë dëbore sot në mëngjes është edhe rajoni i Pijaneçko-Maleshevës. Më i theksuar është në vendet më të larta. Në qytetin e Dellçevës dhe fshatrat përreth mbulesa e borës është minimale, ndërsa reshje bore mëngjesin e sotëm ka edhe në komunat Makedonska Kamenica, Berovë dhe Pehçevë.
Për momentin në Dellçevë më së shumti borë ka rënë në malin Golak, në fshatin Trabotivishtë, si dhe në zonën e fshatit Svegor afër pikës kufitare me Republikën e Bullgarisë.
Reshjet e borës mëngjesin e sotëm janë arsyeja që ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda motorike në rrugën Kratovë-Probishtip.
Siç informojnë nga Lidhja e Automoto të Maqedonisë (LAMM), ndalimi është vendosur në ora 19:00.
LAMM thotë se qarkullimi në rrugët tjera shtetërore po zhvillohet pa probleme, kryesisht në rrugë me lagështirë.
Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” thonë se në rrugë të caktuara rrugore që kalojnë nëpër gryka dhe prerje është e mundur paraqitja e rrëshqitjeve më të vogla.
Nga aty apelojnë për menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, respektim të sinjalistikës së komunikacionit të vendosur si dhe përshtatje të shpejtësisë me kushtet e rrugës.