Ballina Aktualitet Shkoi në SHBA si emigrante, Besa Sharrah shqiptaro-amerikania e parë që kandidon...

Shkoi në SHBA si emigrante, Besa Sharrah shqiptaro-amerikania e parë që kandidon për në Senatin e Ohajos

Në zgjedhjet për Senatin në Shtetin e Ohajos që do të mbahen më 5 nëntor, për herë të parë do të kandidojë edhe një shqiptaro-amerikane. Besa Sharrah, e cila garon në emër të Partisë Republikane, ka bërë fushatë për të qenë anëtare e organit ligjvënës në shtetin ku mbërriti si emigrante, në vitin 2005. Prej 11 vjetësh, ajo ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Republikane, në emër të së cilës garon për në Senatin e Ohajos. Ditën e sotme, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Vizionin e Pasdites”, nën moderimin e Brikena Priftit, Sharrah tregon se ku është fokusuar gjatë fushatës së saj, e cila ka filluar para një viti. Problematika më e madhe e adresuar nga shqiptarët që jetojnë në SHBA, por edhe nga qytetarët amerikanë, sipas saj është ekonomia.

Besa Sharrah: Shpresoj që njerëzit të votojnë në bazë të katër viteve të fundit. Është shumë e rëndësishme kjo. Këtu ka disa shqiptarë, është një komunitet i vogël, megjithatë ne jemi me impakt dhe gjërat që janë të rëndësishme për emigrantët shqiptarë janë të rëndësishme për emigrantët në përgjithësi. Ekonomia ka pasur një inflacion që është rritur konsiderueshëm, kjo është një nga gjërat që e kemi dëgjuar më së shumti. Kam një vit që bëj fushatë dhe ka shumë gjëra  ende të pazgjidhura, qëndron ende problematika e blerjes së një shtëpie, përballimi i taksave, etj,. Ne jemi munduar t’i adresojmë sa më shumë të jetë e mundur. Për momentin na kanë bashkuar disa gjëra. Fokusi më i madh ka qenë tek ekonomia dhe edukimi i fëmijëve tanë që është shumë i rëndësishëm për ne.

Ajo që vumë re ne gjatë fushatës, është se historia ime si emigrante shqiptare ishte historia e shumë emigrantëve të tjerë këtu në Ohajo. Sa dëgjuan nominimin tim, kjo ishte gjëja që i afroi shumë njerëz që nuk kishin interes të ishin pjesë e një lëvizjeje politike, por thjesht duke pasur dikë që ka ardhur në këtë vend. Mendoj që një nga gjërat që ne kemi bërë shumë mirë në këtë fushatë, është evidentimi i zërit të emigrantit në senatin e Ohajos.

Amerika përqafon ide të reja dhe njerëz me një perspektivë komplet ndryshe nga e tyrja. Kjo tregohet dhe nga fakti që më zgjodhën mua për të kandiduar për të qenë pjesë e Senatit. Ekonomia është një nga problemet më të mëdha të emigrantëve. Problemi i dytë është sigurimi i një shtëpie. Përballen gjithashtu me çmime shumë të larta qirash. /vizionplus.tv