Ballina Kronika Në Manastir goditet me gurë autobusi i KB “Çair 2030”

Në Manastir goditet me gurë autobusi i KB “Çair 2030”

Skuadra e Basketbollit “Çair 2030” reagoi menjëherë pas përballjes së humbur me Pelisterin në Manastir me rezultat 77-73. Drejtuesit dhe basketbollistët akuzuan tifozët vendas se kanë ushtruar presion me gjuhën e urrejtjes, duke hedhur gjësende ndaj basketbollistëve të skuadrës nga Shkupi. Dhe në fund është goditur me gurë autobusi ku ishin basketbollistët dhe stafi teknik i Klubit të Basketbollit “Çair 2030”.

“Në Manastir u zhvillua një ndeshje dramatike mes ekipit tonë dhe KK Pelister, ku pas një lufte të fortë deri në fund, u mposhtëm ngushtë me rezultat 77-73. Ndeshja u karakterizua nga tension i lartë, ndikim i dyshimtë dhe presion i madh nga publiku vendas, që përfshinte fyerje, gjuhën e urejtjes dhe gjuajtje sendesh drejt lojtarëve tanë. Edhe pas këtyre incidenteve nuk u pa e arsyeshme te zbrazet tribuna. Në fund gjatë nisjes për kthim, autobusi i ekipit tonë u sulmua me gurë, një akt që dënojmë ashpër.

Na presin dy ndeshjet e fundit deri në përfundimin e gjysëm sezonit. Ndeshja e ardhshme është me rëndesi të madhe për ta ruajtur pozitën e parë në tabelë, e cila zhvillohet vikendin që vjen në palestrën tonë Shaban Tërstena kundër KK Kumanovës,” thuhet në komunikatën e KB Çair 2030.