Ballina Kronika Aksidenti tragjik në Kanada, humb jetën 25 vjeçarja shqiptare, familja kërkon ndihmë...

Aksidenti tragjik në Kanada, humb jetën 25 vjeçarja shqiptare, familja kërkon ndihmë për kthimin e trupit në Shqipëri

VIDEO BONUS: Zgjedhjet në Kosovë

Një aksident tragjik i ndodhur më 20 janar në Toronto të Kanadasë, i mori jetën 25-vjeçares shqiptare, Agnesa Shukulli.

Agnesa ishte duke udhëtuar me automjet së bashku me bashkëjetuesin e saj nga Shkodra kur makina e tyre përfundoi në liqenin e ngrirë të Ontarios pranë Lakeshore Boulevard East.

Në momentin që në vendngjarje kanë mbërritur forcat e zjarrfikëses, policia e ambulanca, njëri prej tyre është gjetur në çatinë e makinës ndërsa tjetri ishte brenda në automjet.

25-vjeçarja së bashku me personin tjetër janë dërguar urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por Agnesa nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra dhe fatkeqësisht ndërroi jetë.

Agnesa Shukulli jetonte në Kanada që prej vitit 2021 teksa iu bashkua motrës së saj, Anxhela. Përtej dhimbjes së madhe për humbjen e fëmijës së tyre, familja Shukulli po përballet dhe me një tjetër sfidë, të mospasurit mundësi financiare për të sjellë në Shqipëri trupin e Agnesës.

Në këtë moment të vëshirë, prindërit e Agnesës i janë drejtuar shqiptarëve për ndihmë sado pak të vogël nëpërmjet një llogarie në GoFoundMe për të plotësuar shumën e nevojshme për transportimin e trupit të pajetë të 25-vjeçares drejt Shqipërisë.

Me 20 janar 2025, Agnesa Shukulli, 25 vjeçe, u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik pranë Lakeshore Boulevard East. Makina përfundoi në Liqenin e Ontarios dhe, pavarësisht se ajo u dërgua me urgjencë në spital, fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Agnesa ishte një vajzë e re me një shpirt të bukur dhe plot mirësi, që prekte zemrat e të gjithëve. Me energjinë e saj ndriçonte çdo dhomë ku hynte dhe linte gjurmë tek të gjithë ata që patën fatin ta njihnin.
Në nëntor të 2021, Agnesa erdhi në Kanada për t’iu bashkuar motrës së saj, Anxhela. Një vajzë e re me ëndrra të mëdha – ëndrra për të ndërtuar një jetë më të mirë, për të ndihmuar prindërit e saj në Shqipëri dhe për të krijuar një të ardhme plot shpresë që fatkeqësisht nuk përfundoi e tillë.
Humbja e Agnesës është e rëndë jo vetëm për familjen e saj, por për të gjithë ata që e njohin. Familja e saj tani po përballet me dhimbjen e paimagjinueshme të humbjes së një prej njerëzve të tyre më të shtrenjtë. Përveç kësaj, ata po përballen me sfidën financiare të kthimit të trupit të vajzës së tyre në Shqipëri, në mënyrë që të prehet në paqe në atdheun e saj.
Po i drejtohemi të gjithë atyre që e njohën Agnesën, ose edhe atyre që nuk e njihnin, por duan të ndihmojnë një familje në nevojë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Çdo ndihmë, sado e vogël, do të bëjë një ndryshim të madh. Mbështetja juaj, lutjet dhe zemërgjerësia juaj do të thonë shumë për ne dhe për familjen e Agnesës.
Le të bashkohemi për të nderuar kujtimin e saj dhe për t’i dhënë forcë familjes së saj në këtë kohë të vështirë.
Faleminderit nga zemra për dashamirësinë dhe mbështetjen tuaj.