Ballina Bota Biden firmos, Kalifornia në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve (VIDEO)

Biden firmos, Kalifornia në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve (VIDEO)

Presidenti Joe Biden miratoi të mërkurën një deklaratë federale të emergjencës për zjarret e Kalifornisë, që do të mundësojë fonde dhe burime për të luftuar flakët. Presidenti paralajmëroi se rimëkëmbja e zonës do të marrë kohë.

Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit u përball me katër zjarre me rrezikshmëri për jetën, që kanë vrarë të paktën dy persona, kanë djegur mbi 1000 ndërtesa dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të evakuohen.

“Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Los Anxhelos ishte përgatitur për një ose dy zjarre të mëdha pyjesh, por jo katër, veçanërisht duke patur parasysh këto erëra të qëndrueshme dhe lagështinë e ulët”, tha të mërkurën shefi i zjarrfikësve të qarkut Los Anxhelos, Anthony C. Marrone.

Ai tha se mbi 2000 hektarë janë djegur dhe zjarri po vazhdon të përhapet.

“Nuk kemi asnjë përqindje kontrolli”, tha zoti Marrone.

Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që t’i kushtojnë vëmendje urdhrave të evakuimit dhe të largohen kur të udhëzohen. Dy mijë anëtarë të Gardës Kombëtare janë dislokuar për të ndihmuar zjarrfikësit vendas.

Në Palisadet e Paqësorit, zjarri kalonte nga një shtëpi në tjetrën, i shtyrë nga erërat e forta me fuqi uragani. Në të njëjtën zonë, zjarrfikësit thanë se uji pati shteruar.

“Patëm një kërkesë të jashtëzakonshme për sistemin tonë në Palisades”, tha të mërkurën Janisse Quiñones, drejtuese dhe inxhiniere kryesore në Departamentin e Ujit dhe Energjisë në Los Anxhelos. “E çuam sistemin deri në ekstrem”. Kërkesa për ujë ishte “katër herë mbi nivelin… për 15 orë rresht”, shtoi ajo.

Më vonë të mërkurën, aeroplanët mbështetës që ishin ndalur nga erërat e forta, u ngritën sërish në ajër, duke hedhur ujë dhe lëndë anti-zjarr. Mbi 400,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji në të gjithë Los Anxhelosin, sipas faqes në internet poweroutage.us.

Uashingtoni po mbështet përpjekjet për shuarjen e zjarrit të Kalifornisë me katër avionë të mëdhenj cisternë të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara dhe u njoftua se është nisur edhe një i pestë shtesë. Qeveria federale po ndihmon edhe me 10 helikopterë përpjekjet për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë, dhjetëra zjarrfikëse të Shërbimit Pyjor u vendosën në gatishmëri për t’u dislokuar./VOA

“Ferri në qytetin e engjëjve”/ Pamjet apokaliptike të zjarrit në Los Angeles

Të paktën 2 persona kanë vdekur dhe dhjetëra mijëra janë urdhëruar për një evakuim të detyrueshëm pasi zjarret janë jashtë kontrollit në zonën më të madhe të Los Angeles në SHBA. Erërat e forta penguan përpjekjet e zjarrfikësve për të vënë flakët nën kontroll ndërsa zyrtarët paralajmëruan edhe për mungesë të ujit.

Më shumë se 70 mijë njerëzve u është kërkuar të ikin nga shtëpitë e tyre pasi flakët janë duke përparuar me shpejtësi të madhe. Sipas autoriteteve, vlerësohet se deri tani janë shkrumbuar mbi 1000 ndërtesa.
Edhe kushtet e motit nuk po ndihmojnë pasi në vijim parashikohen erëra të forta (128-160 km/h) dhe kushte të thata që do të vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e zjarrit. Flakët shpërthyen fillimisht në lagjen Pacific Palisades ndërsa 4 vatra të tjera u përhapën në periferi të qytetit.
Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Reagime të forta ka shkaktuar fakti se kryetarja demokrate e qytetit, Karen Bass ndodhet për një vizitë zyrtare në Ganë ndërkohë që flakët po përparojnë.

Komentuesit kanë vërshuar në faqen e kryebashkiakes në Facebook duke i bërë thirrje që ajo të kthehet menjëherë në Los Angeles. Rreth 3 000 hektarë vlerësohet të jenë djegur deri tani.

Zjarret e Los Anxhelosit - Mijëra evakuojnë shtëpitë e tyre-5

Zona është shtëpia e shumë yjeve të Hollivudit dhe muzikës disa prej të cilëve gjithashtu janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Aktori James Woods shkroi në X se ishte në gjendje të ikte, por shtoi: “Nuk e di tani nëse shtëpia jonë është ende në këmbë”.

Zjarret në Los Anxhelos - Mijëra evakuojnë shtëpitë e tyre-3

Për shkak të evakuimeve masive rrugët u mbushën me automjete me njerëz që përpiqeshin të largoheshin nga zona. Shumë u detyruan të braktisnin makinat e tyre pasi flakët iu afruan rrezikshëm. Zjarri shkaktoi një re të madhe tymi që duket nga i gjithë qyteti. Qyteti fqinj i Malibu, i cili pësoi një zjarr të madh në dhjetor, vendosi të mbyllë shkollat. Më shumë se 220 mijë shtëpi dhe biznese në Los Angeles County janë pa energji.

Zjarret e Los Anxhelosit - Mijëra evakuojnë shtëpitë e tyre-1

Zjarri i dytë i madh shpërtheu rreth 50 kilometra në brendësi të Pasadenës. Deri më tani ai ka djegur më shumë se 2200 hektarë dhe mbetet plotësisht jashtë kontrollit. Të paktën 700 zjarrfikës janë përfshirë në shuarjen e tij. 2 personat që u gjetën të vdekur humbën jetën në këtë front. Shumë të tjerë vlerësohet të jenë plagosur.

Zjarret në Los Anxhelos - Mijëra evakuojnë shtëpitë e tyre-2

Zyrtarët e zjarrfikësve thanë se një zjarr i tretë po digjte zonën Sylmar të luginës San Fernando në veriperëndim të Los Anxhelosit. Zjarri në fjalë vlerësohet të ketë djegur deri tani rreth 500 hektarë. Një zjarr i katërt, shumë më i vogël është raportuar nga zyrtarët në qarkun Riverside. Ndërsa zjarri i pestë ka djegur aktualisht 75 hektarë. ©LAPSI.al