Shqiptari Xhevdet Plaku, 44 vjeç, është arratisur nga burgu i Ankonës, Itali, mëngjesin e djeshëm, 23 janar.
Kreu i një grupi kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar droge është zhdukur “në heshjte”, por me një plan të mirëmenduar.
Ai akuzohet gjithashtu për dy vrasje.
Sipas mediave italiane, Plaku doli ditën e djeshme për të hedhur mbeturinat dhe nuk u kthye më.
Arratisja
Plaku ishte një i burgosur model në Ankona dhe për pak muaj përfundonte dënimin. Kjo i kishte mundësuar që tre muaj më parë të aksesonte regjimin e parashikuar nga neni 21 i Rregullores së vuajtjes së dënimit. Pra atij i lejohej të punonte jashtë dhe i pa shoqëruar.
Dje në mëngjes rreth orës 08:30 ka dalë për të zbrazur koshat e mbeturinave. Një rutinë e përditshme, e cila i mundësoi planin perfekt të arratisjes.
Alarmi
Në orën 11:30, kur oficerët e burgut kanë kryer kontrollet rutinë, Plaku nuk i është përgjigjur thirrjes. Më pas u ngrit menjëherë alarmi, ndërsa policia u vu në ndjekje të tij.
Kush është Xhevdet Plaku, “Akili” me 25 identitete
Emri i tij, doli në zbardhjen e përgjimeve të Sky ECC ku u zbulua se Akili, që përdorte 25 identitete, i akuzuar si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam u tentua të vritej nga i forti i Shijakut Rexhep Rapi më 17 shtator 2019.
Përgjimet zbardhën bashkëpunimin e Rapit me Gjonin për të kryer vrasjen para komisariatit të Durrësit, si hakmarrje pasi e akuzonte për vrasjen e vëllat të tij Sali Rapi të ndodhur në 2014-ën në Itali.
Por ai nuk ishte duke vuajtur dënimin për këtë akuzë, por në lidhje me një grup kriminal që trafikonte drogë në Europë. Ai ka qenë i dënuar vite më parë për një vrasje të kryer në Durrës, ndërsa për një tjetër vrasje u shpall i pafajshëm.
Sipas vendimit të Gjykatës së Durrësit, më 24 qershor të vitit 2003, në Lagjen Nr.15, në zonën e Spitallës, Xhevdet Plaku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Saimir Sina.
Autori dhe viktima kanë qenë banorë të së njëjtës lagje dhe kanë pasur shoqëri me njëri-tjetrin. Duke qenë se Xhevdet Plaku ka qenë emigrant në Itali, Saimir Sina ishte në dijeni të faktit se ai kishte të dashur shtetasen Nertila K. Dhe, duke përfituar dhe nga njohja personale me këtë vajzë, i ka propozuar për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për t’u bashkuar me të dashurin e saj. Por plani nuk shkoi kështu, pasi Plaku e vrau Sinën./vizionplus.tv