I emëruari i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, ligjvënësi Mike Waltz tha në një intervistë të mërkurën se Trump po shqyrton alternativat për të parandaluar mbylljen e rrjetit TikTok.
Waltz e bëri komentin kur u pyet nga gazetari i rrjetit FoxNews, Bret Baier, lidhur me një lajm të gazetës “The Washington Post” se zoti Trump po shqyrtonte lëshimin e një urdhri ekzekutiv për të pezulluar zbatimin e një ligji federal që mund të ndalonte rrjetin TikTok në Shtetet e Bashkuara me datën 19 janar.
Gjykata e Lartë dëgjoi javën e kaluar argumentet në një sfidë ligjore të paraqitur nga rrjeti TikTok kundër një ligji që parashikon ndalimin e platformës sociale në Shtetet e Bashkuara. Argumentet u paraqitën nga kompania mëmë ByteDance me seli në Kinë dhe përdorues të platformës.
Incoming national security adviser, Michael Waltz on TikTok: “I don’t want to get ahead of our executive orders but we’re going to create the space to — to put that deal in place.” pic.twitter.com/iB4hzhdx2r
— annmarie hordern (@annmarie) January 16, 2025
Duket se anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk do të hedhin poshtë ligjin federal, i cili i kërkon kompanisë ByteDance që të heqë dorë nga platforma TikTok për arsye të sigurisë kombëtare ose të përballet me ndalimin e rrjetit në një nga tregjet e tij më të mëdha.
“Nëse Gjykata e Lartë merr një vendim në mbështetje të ligjit, Presidenti Trump është shprehur shumë qartë. Së pari, rrjeti TikTok është një platformë e mirë që përdoret nga shumë amerikanë dhe ka luajtur një rol të mirë për të përcjellë mesazhin e fushatës së tij. Së dyti, ai do të mbrojë të dhënat e tyre”, tha zoti Waltz.
“Ai njihet për marrëveshjet. Nuk dua t’u paraprij urdhrave ekzekutivë, por ne do të krijojmë këtë hapësirë për të arritur një marrëveshje”, shtoi ai.
Ndërkohë, e emëruara e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e Prokurores së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuar, Pam Bondi, shmangu një pyetje gjatë një seance konfirmimi në Senat nëse ajo do të mbështeste ligjin për ndalimin e rrjetit TikTok.
Sidoqoftë, Trump ka ndryshuar qëndrimin lidhur me aplikacionin e njohur pas përpjekjeve për ndalimin e këtij rrjeti gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë mes shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
Gjatë fushatës së fundit presidenciale, zoti Trump dhe ekipi i tij e përdorën rrjetin TikTok për të bërë për vete moshat e reja, veçanërisht votuesit meshkuj, me postime që u përhapën gjerësisht në platformë. Ai u zotua gjatë fushatës që ta “shpëtojë TikTok-un” ndërsa është shprehur se rrjeti social e ndihmoi atë të fitonte më shumë vota mes të rinjve./voa