Ballina Top Lajm Mosbindja civile rrëzon nga froni kryeministrin serb Vuçeviq

Mosbindja civile rrëzon nga froni kryeministrin serb Vuçeviq

VIDEO BONUS: Zgjedhjet në Kosovë

Protestat e mëdha që zgjasin prej dy muajsh e kanë detyruar kryeministrin, Millosh Vuçeviç, të japë dorëheqjen duke shënuar kështu tërheqjen e parë madhore të regjimit të Aleksandar Vuçiçit ndaj pakënaqësisë popullore që ka përfshirë Serbinë.

“Unë besoj se politika që unë dhe partia që unë drejtoj, duhet të demonstrojë nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe të fusë norma të reja në politikën serbe, duke dëshmuar se është e përgjegjshme”, tha Vuçeviç, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarët në Beograd.

Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në një stacionin hekurudhor.

Kërkesat e studentëve janë të njëjta që nga fillimi i protestave: publikimi i të gjitha dokumenteve që lidhen me rinovimin e stacionit hekurudhor që sapo ishte përfunduar nga tre kompani kineze, hungareze dhe franceze; arrestimi i personave të dyshuar për sulme fizike ndaj studentëve dhe profesorëve që nga fillimi i protestave; ndalimi i ndjekjeve penale ndaj studentëve të arrestuar dhe një rritje prej 20% të buxhetit për arsimin e lartë.

Përkrahje nga fermerët dhe motoristët

“Ne kërkojmë thjesht që institucionet të bëjnë punën e tyre dhe të përgjigjen ndaj katër kërkesave që kemi parashtruar“, ka deklaruar për Le Monde, Uroš Velimirović, 22 vjeç, student protestues nga fakulteti i inxhinierisë elektrike. “Ne presim që të plotësohen të gjitha kërkesat tona, dhe nëse ata refuzojnë, do të qëndrojmë këtu derisa ato të plotësohen,“ shton Tamara Crnogorac, 20 vjeçe, studente e shkencave.

Dhjetëra fermerë protestuan gjithashtu ditët e shkuara në Beograd me qëllimin për të mbrojtur studentët duke rrethuar grumbullimin me traktorët e tyre. Po të njëjtën gjë bënë edhe disa klube motoristësh të kryeqytetit.

Dhuna ndaj studentëve dhe reagimi i presidentit serb

Mjaft studentë janë lënduar që nga fillimi i protestave, nga shoferë automjetesh që kanë kaluar me forcë përmes kordonëve të sigurisë, të cilët janë ngritur në çdo protestë nga vetë protestuesit. Edhe të premten që shkoi, gjatë një proteste që mblodhi mbi 50,000 persona në Beograd, një studente u përplas nga një automjet i drejtuar nga një grua 25-vjeçare, e cila i dha gaz makinës teksa ajo ndodhej përpara saj.

Videot që janë bërë virale nga këto incidente e kanë shtyrë presidentin serb, i cili po përballet me një lëvizje zemërimi të pashembullt që nga ardhja e tij në pushtet dymbëdhjetë vjet më parë, të kërkojë nga policia që të sigurojë protestat.

Pika që derdhi gotën

Pikërisht një episod i ngjashëm u bë shkak edhe për përshkallëzimin që solli dorëheqjen e kreministrit  Millosh Vuçeviç. Sipas së përditshmes serbe Danas një studente, me emrin Ana, nga Akademia e Arteve të Novi Sadit, u plagos rëndë. Huliganët, të cilët dolën nga ambientet e Partisë Progresiste Serbe, në pushtet, e sulmuan atë me shkopinj dhe i shkaktuan krisjen e nofullës.

Pas grumbullimit, studentët shkuan në ambientet e Partisë Progresive Serbe, në rrugën Stražilovska, të cilat i bojatisën tërësisht me spraj të kuq.

Ambjentet e partisë u mbuluan me parulla si “Vrasës”, “Nuk do të na shkelni”, “Deri kur më?”. Gjithashtu, studentët mbuluan me sprajt edhe kamerat e sigurisë të ndërtesës ku ndodhen ambientet e partisë.

Duke përligjur aktin e dorëheqjes nga posti i kryeministrit që e mban që prej maji të 2024-ës, Millosh Vuçeviç  tha se se ajo që hodhi hije të madhe mbi mandatin e tij, ishte ngjarja në Novi Sad. “Unë e konsideroj veten objektivisht përgjegjës për atë që ka ndodhur në Novi Sad dhe, për këtë arsye, po e paguaj me dëshirë çmimin politik”, argumentoi ai.

Pergatiti T. Çela, Lapsi.al

VIDEO BONUS: Kronika
@tetovanews
@tn.lajmelokale