Ballina Kronika Rendohet bilanci i masakrës në Cetinjë, shkon në 12 numri i viktimave

Rendohet bilanci i masakrës në Cetinjë, shkon në 12 numri i viktimave

Bilanci i masakrës në Malin e Zi ka arritur në 12 viktima, ndërsa autori i dyshuar, Aco Martinoviç, ka kryer vetëvrasje. Martinoviç u gjet i plagosur rëndë pranë banesës së tij në Humci, por ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.

Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin Cetinjë, ku autori fillimisht kreu një sulm në një tavernë dhe më pas qëlloi njerëzit që i dolën përpara.

Sipas Prokurorisë së Malit të Zi, Martinoviç vrau 12 persona në pesë vende të ndryshme, duke përfshirë dy fëmijë të moshave 10 dhe 13 vjeç. Katër persona të tjerë mbetën të plagosur dhe po marrin trajtim mjekësor në spital. Ndër viktimat janë edhe pronari i tavernës ku filloi sulmi dhe disa anëtarë të familjes së tij.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë, Llazar Shqepanoviç, tha se forcat e sigurisë rrethuan autorin në banesën e tij dhe, pasi i kërkuan të dorëzohej, ai qëlloi veten. Ndërkohë, autoritetet ende nuk kanë përcaktuar motivin e saktë të ngjarjes, megjithëse familjarët e tij kanë raportuar se ai kishte probleme të shëndetit mendor dhe viktimat ishin kryesisht miqtë e tij të afërt.

Për të nderuar viktimat, qeveria e Malit të Zi ka shpallur tre ditë zie kombëtare, duke ulur flamujt në gjysmështizë në të gjitha institucionet publike dhe duke pezulluar aktivitetet kulturore dhe argëtuese në hapësirat publike. Presidenti dhe kryeministri kanë përcjellë ngushëllime për këtë tragjedi të paprecedent.