Ballina Bota Sekretari i Shtetit Marco Rubio urdhëron ndalimin e ndihmës së huaj të...

Sekretari i Shtetit Marco Rubio urdhëron ndalimin e ndihmës së huaj të SHBA-ve

VIDEO BONUS: Zgjedhjet në Kosovë

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm në pothuajse të gjitha programet ekzistuese të ndihmës së huaj në pritje të një rishikimi nëse ato janë në përputhje me politikat e Presidentit Donald Trump, sipas një kabllogrami të brendshëm të parë nga Financial Times.

Lëvizja do të ndikojë në kontratat e ndihmës ndërkombëtare të administruara nga Uashingtoni, përfshirë përmes Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar, me vlerë miliarda dollarë dhe që përfshijnë vende në mbarë botën.

Në kabllogramin dërguar Departamentit të Shtetit dhe USAID-it të premten, Rubio tha se të gjitha disbursimet e reja të ndihmës së huaj do të pezulloheshin dhe oficerët kontraktues dhe oficerët e granteve duhet të “lëshonin menjëherë urdhra për ndalimin e punës”…deri në momentin që sekretari do ta përcaktojë, pas rishikimeve”.

Periudha e rishikimit pritet të zgjasë deri në 85 ditë, duke lënë potencialisht në harresë për tre muaj, fatin e qindra kontratave të ndihmës së huaj amerikane, të cilat kishin vlerë më shumë se 70 miliardë dollarë në vitin fiskal 2022,.

Rubio urdhëroi gjithashtu që të gjitha ndihmat e huaja të disbursuara përmes çdo agjencie apo departamenti të miratoheshin nga sekretari i shtetit, duke centralizuar verifikimin e të gjitha programeve të ndihmës ndërkombëtare brenda zyrës së tij.

Kablloja e Rubios zbaton një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Trump në ditën e tij të parë në detyrë. Në të, presidenti kritikoi “industrinë e ndihmës së huaj dhe burokracinë” si “jo në përputhje me interesat amerikane dhe në shumë raste antietike me vlerat amerikane” dhe kërkoi që ndihma të pezullohej.

Në ditët e para të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka ndërmarrë hapa agresivë për të riformuar dhe ridrejtuar të gjitha agjencitë e qeverisë amerikane për të zbatuar politikat e tij.

Agjencitë shkencore si Instituti Kombëtar i Shëndetësisë kanë ndalur gjithashtu punën e granteve në pritje të rishikimit nga administrata e re, duke alarmuar studiuesit.

Ka disa përjashtime nga urdhri i ngrirjes së ndihmës nga Rubio, mes tyre “heqje dorë nga miratimi” për financimin ushtarak për Izraelin dhe Egjiptin, si dhe ndihmën e huaj ushqimore emergjente. Por kabllogrami thoshte se përveç ndalimit të kontratave të reja dhe ekzistuese, agjencitë qeveritare të SHBA, përfshirë USAID-in, duhet të ndalojnë publikimin e propozimeve për projektet e ndihmës së huaj.

Në fillim të kësaj jave, Rubio tha në një deklaratë se Trump i kishte kërkuar atij “të vendoste interesin tonë thelbësor kombëtar si misionin udhëzues të politikës së jashtme amerikane”, duke thënë se ndër prioritetet e tij kryesore ishin frenimi i migracionit masiv dhe heqja e politikave klimatike që “dobësojnë” Amerikën.

“Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim duhet të justifikohet me përgjigjen e tre pyetjeve të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?”