Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të shtunën se ka shumë mundësi të japë një shtyrje 90-ditore për TikTok për të shmangur një ndalim të mundshëm, pasi ai merr detyrën të hënën.
Trump deklaroi për NBC se “shtyrja 90-ditore është diçka që me shumë gjasa do të bëhet, sepse është e përshtatshme,” dhe shtoi se një vendim i tillë do të shpallet të hënën, nëse merret, përcjellin mediet amerikane.
Aplikacioni TikTok, që ka fituar popullaritet të jashtëzakonshëm në SHBA me rreth 170 milionë përdorues, ka paralajmëruar se do të ndërpresë operacionet në SHBA të dielën, nëse administrata aktuale nuk jep garanci për partnerët e saj si Apple dhe Google se nuk do të përballen me veprime ndëshkuese pas hyrjes në fuqi të ndalimit.
Gjykata e Lartë të premten miratoi njëzëri një vendim që kërkon nga TikTok të ndërpresë lidhjet me kompaninë mëmë kineze ByteDance deri të dielën ose të mbyllë operacionet në SHBA për të adresuar shqetësimet për sigurinë kombëtare.
Administrata aktuale e Shtëpisë së Bardhë e cilësoi deklaratën e TikTok të premten si një taktikë për të tërhequr vëmendjen dhe deklaroi se çdo veprim do të mbetet në duart e administratës Trump pas inaugurimit të tij të hënën.
TikTok nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për deklaratën e fundit të Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë, ambasada kineze në Uashington ka akuzuar SHBA-në për përdorim të padrejtë të fuqisë shtetërore për të shtypur TikTok dhe ka paralajmëruar për masa të mëtejshme për mbrojtjen e interesave të saj.
Përdoruesit e aplikacionit kanë nisur t’i thonë lamtumirë platformës, duke ndarë postime të fundit dhe video për t’u përshëndetur me ndjekësit e tyre. Influencuesja e fitnesit Britany Williams ndau një video ku pyeste ndjekësit e saj nëse ndalimi hyri në fuqi të dielën apo jo, duke u përpjekur të planifikonte aktivitetet e saj.
Nëse nuk shpallet një shtyrje 90-ditore nga administrata e re, kompanitë që ofrojnë shërbime për TikTok, përfshirë Apple, Google dhe Oracle, mund të përballen me përgjegjësi ligjore.
Deri më tani, nuk është e qartë nëse këta partnerë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me aplikacionin para se të hyjë në fuqi ndalimi.
Ky zhvillim vjen në kuadër të veprimeve të para të iniciuara nga Trump gjatë mandatit të tij të parë, ku ai kishte paralajmëruar ndalimin e TikTok për shqetësime sigurie.