Ballina Aktualitet Arrestohet kryebashkiaku Veliaj, SPAK: Akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Ajola Xoxa...

Arrestohet kryebashkiaku Veliaj, SPAK: Akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Ajola Xoxa në “arrest shtëpie”

VIDEO BONUS: Zgjedhjet në Kosovë

Një skemë e mirëfilltë korrupsioni, një rrjet i komplikuar transaksionesh bankare dhe krijimi i shoqërive për të qarkulluar para ishin disa nga arsyet që çuan në prangosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ai dyshohet se ka kryer krahas korrupsionit edhe pastrim parash.

Erion Veliaj u arrestua ndërsa ishte në zyrën e tij, brenda Bashkisë së Tiranës, nën dyshimet se së bashku me gruan e tij, Ajola Xoxa kanë kryer korrupsion me fondet publike në të paktën 10 raste. Prokurorët, Olsi Dado dhe Altin Dumani thonë se kanë qenë kompanitë e zotëruara de facto e de jure nga Ajola Xoxa ato që kanë bërë të ligjshme miliona lekë.

Nga ana e tij SPAK e thotë se Xoxa ka kryer të njëjtat krime si burri i saj, por njëherazi edhe ka fshehur origjinën e parave. Ndërsa Veliaj, sipas prokurorisë, ishte vendimtar në këtë skemë.

SPAK: Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt. Organi procedues ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim, këta të fundit, vetëm përmes shoqërive dhe OJF kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë.

Në skemën e zbërthyer nga SPAK doli zbuluar edhe roli i bashkëpunëtorëve të ngushtë të Veliajt. Mes tyre bën pjesë, biznesmeni i arrestuar, Elman Abule që përmes kompanisë Remetal ka kryer pastrim parash. Masa më të buta sigurie, Prokuroria Speciale ka lëshuar edhe për biznesmenët, Fatmir Bektashi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu.

Në bashkëpunim ata akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror.

SPAK njofton gjithashtu se Gjykata Antikorrupsion sekuestroi rreth 870 mijë euro të Ajola Xoxës, në dy llogari bankare. Një tjetër gjetje e prokurorisë ishin shpenzimet e larta të saj në blerjet online.

SPAK: Gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të administruara nga shtetësja Ajola Xoxa, e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro. Ajola Xoxa, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh ka bërë blerje online, të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën rreth 87 milionë lekë.

Si rrallëherë, SPAK njoftoi zyrtarisht se ka vënë në lupë edhe deputeten socialiste Klotilda Bushka, që ka tentuar të pengojë punën e tyre.

SPAK: Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat të çojnë te dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim Klotilda Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.

Sipas ligjit, brenda 72 orëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, gruaja e tij dhe të gjithë persona e tjerë të dyshuar se kanë kryer 6 vepra penale do të njihen me masën e sigurisë nga Gjykata e Posaçme, me gjyqtar, Erion Banin./vizionplus.tv

VIDEO BONUS: Kronika
@tetovanews
@tn.lajmelokale