Konspiracioni i djeshëm për fondet e USAID është sot realiteti i dokumentuar në Kongresin Amerikan
Ka një rregull të pashkruar në marrëdhëniet ndërkombëtare: vendet e vogla zakonisht trajtohen si koloni, qytetarët aty si njerëz të dorës së dytë dhe politikanët e tyre si shërbëtorë që duhet të ndjekin urdhrat e padronëve të mëdhenj. Ambadadorët e vendeve të fuqishme e dinë këtë dhe shpesh në Shqipëri ata janë sjellë si guvernatorë, duke urdhëruar, kërcënuar dhe manipuluar me arrogancën që perandoritë dikur përdornin ndaj territoreve të pushtuara.
Me një ton që nuk i shkonte përshtat një diplomateje, ajo u tha demokratëve: “Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura.
“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu,” vijoi Yuri Kim, një referencë për ish-drejtuesin e demokratëve Sali Berisha, të cilin amerikanët e kanë shpallur non grata, si person i përfshirë në korrupsion madhor.
Kjo shprehje, ka mbetur si një nga gafat më të përçmuara të diplomacisë amerikane në Shqipëri. Ende sot konsiderohet si një përbuzje e hapur ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk duhej të mendonin me kokën e tyre, por vetëm të zbatonin axhendat e imponuara nga jashtë.
Me fjalë të tjera, mesazhi që erdhi nga ambasadorja amerikane ishte: ose largoni Sali Berishën, ose përgatituni për izolim politik. Shantazhi, ku përfshihej një shprehje e vjetër e përdorur nga diktatori Enver Hoxha nuk kishte asgjë të përbashkët me diplomacinë, por ishte një ndërhyrje e hapur në procesin politik të një vendi të NATO-s, me një qëllim eliminimin politik të liderit historik të opozitës.
Konspiracioni i Berishës, Yuri Kim reagoi për denoncimin e USAID
Pak vetë e mbajnë mend, por 48 orë para se Yuri Kim të artikulonte shantazhin nga shkallët e selisë blu, Sali Berisha kishte bërë një denoncim në Facebook për një projekt të USAID-it, që mori pak vëmëndje në media.
Berisha kishte folur për një projekt të financuar me paratë e taksapguesve amerikanë dhe që drejtohej nga Delina Fico, pjesë e organizatës East-West Management Institute. Edhe në reagimin e tij, pas deklaratës së Yuri Kim, Berisha la të kuptohej se takimi i Kim në selinë e PD me Lulzim Bashën, ishte nxitur nga denoncimi i tij për projektin e Delina Ficos.
“Unë dua t’i rikujtoj Zonjes ambasadore se ke gabuar rëndë me barin që iu përmende demokratëve. Në këtë kontekst shprehja juaj se PD nuk mund të hajë bar është një fyerje për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar të cilët citate të ngjashme i kanë dëgjuar vetëm në diktaturë apo nga racistë albanofobë.
Së fundi, nuk e di nëse takimi i sotëm i Zj ambasadore Kim ka ndonjë nxitje nga denoncimi im i marrëveshjes së dyshimtë që u njoftua se u arrit ne prani dhe me nxitjen tuaj midis Kryetares se KLGJ, Llagami dhe Instututi East West që sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kërkuar mundësisht të bëni transparente këtë marrëveshje ju siguroj se sikundër deri sot do të denoncoj çdo aferë të dyshimtë nga cilido dhe pa asnjë hezitim” u shpreh Berisha më pas.
Por çfarë përmban në vetvete projekti i East-West Institute? Ky projekt parashikonte emërimin e disa këshilltarëve ligjorë në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, e cila kishte grumbulluar një stok prej 35 mijë dosjesh të prapambetura. Këta këshilltarë, që do të caktoheshin nga instituti ku punonte Delina Fico, do të ndihmonin gjykatësit duke i bërë një përmbledhje paraprake të dosjeve në mënyrë gjykatësit ta kishin më të lehtë marrjen e një vendimi.
Me fjalë të tjera, qeveria amerikane ia jepte paratë për “reformën në drejtësi” gruas së ministrit të Brendshëm të Shqipërisë me premtimin se Gjykata e Lartë do të përpunonte mbi 35 mijë dosje të mbetura stok.
Në denoncimin e parë të skemës, Sali Berisha kishte deklaruar. “Ky është një projekt korruptiv, një skemë kriminale e financuar nga USAID për të kapur drejtësinë dhe për të goditur opozitën. Paratë e taksapaguesve amerikanë po përdoren për të krijuar një drejtësi private, një drejtësi të kontrolluar nga qeveria e Edi Ramës. Nuk mund të ndodhë që gratë e ministrave të qeverisë më të korruptuar në Europë të menaxhojnë projektet e financuara nga SHBA për të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi”.
Konspiracioni që u pranua si realitet në Kongresin Amerikan
Ditën e djeshme në Kongresin Amerikan, e vërteta që për vite u quajt konspiracion u shpall hapur: paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën për të goditur opozitën shqiptare. Të njëjtën opozitë, që Yuri Kim e kërcënoi drejtpërdrejt.
Tani, me dokumente dhe dëshmi zyrtare, del se barin nuk e hanin demokratët, por ishte shtruar si banket me paratë e USAID, për organizatat e financuara nga Soros dhe një grusht burokratësh amerikanë që i shërbyen pushtetit të Edi Ramës.
Gjatë dëgjesës në Kongresin Amerikan, që Lapsi.al e raportoi i pari, skema doli në dritë. Vartësit e Elon Musk në Departamentin e DOGE-s pranuan: “Fondacioni Shoqëria e Hapur i Soros dhe USAID financuan së bashku Institutin Lindje Perëndim. Mes gjërave të tjera, instituti prezantoi ndryshime në sistemin e gjykatave në Shqipëri që ndër të tjera rezultoi edhe në burgosjen e liderit të opozitës, Sali Berisha dhe asgjësimin e oponencës së kryeministrit socialist Edi Rama”, tha një prej raportuesve.
Dhe për ta bërë më dramatike, kongresistja amerikane, e cila dikur do të kishte brohoritur për reformën shqiptare, tani pyeti me ton të ashpër: “Si është e mundur që ne, Shtetet e Bashkuara, kemi financuar me miliona dollarë një projekt që në vend që të ndihmojë reformën në drejtësi, është përdorur për të sulmuar opozitën? Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë dështim?”
Ajo që dje ishte “konspiracion”, sot është realitet i dokumentuar. Dhe ata që thoshin “besojini ndërkombëtarëve” sot duken se kanë qenë ingranazhe të një skeme për kapjen e drejtësisë dhe kriminalizimin e kundërshtarëve politikë. Po tani, kush po ha bar?/Lapsi.al
@tetovanews
@tn.lajmelokale