Zyrtarët e lartë të administratës Trump do të takohen me homologët rusë për të filluar bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.
Këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe i dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff pritet të udhëtojnë drejt Arabisë Saudite për një takim me zyrtarë të lartë rusë, sipas CNN.
Burimet nuk pranuan të thonë se cilët zyrtarë rusë do të ishin të pranishëm, por CNN raporton se Kremlini është duke mbledhur një ekip zyrtarësh të nivelit të lartë për t’u angazhuar në bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në, duke përfshirë figura të nivelit të lartë politik.
Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike McCaul gjithashtu konfirmoi planet në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën, duke thënë: “Rubio, Waltz dhe Witkoff do dërgohen në Arabi për të biseduar me ukrainasit dhe rusët për ti dhënë fund konflikti”.
Keith Kellogg, tha sot se evropianët nuk do të jenë në tryezën e bisedimeve për të arritur një zgjidhje për luftën në Ukrainë.
“Ukrainasit do të jenë të pranishëm sigurisht. Do të ishte marrëzi të mos ishin”, tha Kellogg.
“Ka dy pista, ajo ruse dhe ajo ukrainase. Pra, i dërguari i presidentit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff është i përfshirë me rusët ndërsa unë jam duke punuar më shumë aleatët tanë ukrainas”, shtoi Kellogg.
Presidenti Donald Trump tha në fillim të kësaj jave se ai mund të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Arabinë Saudite në një të ardhmen jo shumë të largët.
@tetovanews
@tn.lajmelokale