Ballina Top Lajm ARBËRESHËT E GREQISË

ARBËRESHËT E GREQISË

Flamuri i arvanitëve

Nga Xhelal Zejneli

Arbëreshët e Greqisë janë popullsi me prejardhje shqiptare e shtrirë në krahina të ndryshme të Greqisë. Janë vendosur atje qysh në mesjetë, sidomos në shekujt XII-XIV. Trysnia nga Perandoria Bizantine dhe nga feudalët vendas ndaj fshatarësisë, trysnia e pushtimeve serbe si dhe rritja demografike, ishin faktorët që nxitën grupe të mëdha të fshatarësisë së Shqipërisë jugore të viheshin në lëvizje drejt jugut: drejt Thesalisë, Greqisë qendrore e jugore dhe Peloponezit, ku kishte vise të shumta të shpopulluara. Masat e marra prej pronarëve të tokave në ato vende për t’i çliruar për një kohë nga detyrimet, e lehtësuan vendosjen e këtyre fshatarëve në toka të reja. Ata e mbanin emrin arbëreshë. Ky ishte emri i vjetër etnik i popullit shqiptar. Ata dhanë një ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Greqisë, në hapjen e tokave të reja, në[ zhvillimin e lundrimit dhe të tregtisë si dhe në rritjen e potencialit njerëzor të vendbanimit të tyre të ri. Në gjysmën e dytë të shekullit XV dhe në fillim të shekullit XVI, popullsia arbëreshe, krahas asaj greke,  mori pjesë në luftën për mbrojtjen e vendit nga pushtimet osmane, sidomos në Gadishullin e Moresë (Peloponezit). Lidhjet e ‘vëllamërisë’ tradicionale me popullsinë greke dhe traditat e tyre luftarake, i bënë arbëreshët faktor të rëndësishëm në luftën çlirimtare të popullit grek. Në çerekun e parë të shekullit XIX dolën prej tyre udhëheqës ushtarakë dhe politikë, siç mishin vëllezërit KunduriotiLazër Kundurioti (1769-1852) dhe Gjergj Kundurioti (1782-1858), Gjergj Karaiskaqi (1782-1827),   Laskarina Bubulina (1771-1825) dhe shumë të tjerë. Popullsia arbëreshe ishte një faktor demografik me rëndësi në shtetin e ri grek. Në mesin e shekullit XIX ajo përbënte përafërsisht një të tretën e popullsisë së këtij shteti. Me gjithë rrudhjen dhe asimilimin e tyre gjatë kohës, arbëreshët përbëjnë edhe sot një masë popullsie kompakte në krahinat e Atikës, Beotisë, Lokridës dhe në gjithë Morenë, në ishujt e Eubesë, Hidrës, Speces, Salaminës etj. Arbëreshët apo arvanitasit, siç i quajnë grekët, ruajnë një varg tiparesh të kulturës popullore së tyre, doket dhe zakonet, virtytet, të trashëguara nga koha e lashtë, e sidomos gjuhën e tyre me tipare arkaike. Në veshjet, në zakonet e dasmës, në ritet kalendarike, në këngët e vallet që vazhdojnë t’i mbledhin edhe sot midis tyre folkloristët dhe etnografët, ruhen dukuri të shumta të ngjashme me ato të trojeve të sotme të popullit shqiptar, ashtu siç ruhen edhe në onomastikën e vendbanimeve të tyre të sotme. Arbëreshët nuk i kanë ndërprerë lidhjet me trungun shqiptar. Nga radhët e arbëreshëve të Greqisë dolën figura të shquara që kanë kontribuar në zhvillimin e kulturës shqiptare dhe në çlirimin kombëtar të mëmëdheut të lashtë. Midis tyre, duhet përmendur shkrimtarin dhe publicistin e Rilindjes Anastas Kullurioti (1820-1887), filologët Panajot Kupitori (1821-1881), Petro Furiqi (1875-1936) etj.

*   *   *

DËBIMI I SHQIPTARËVE NGA ÇAMËRIA DHE NGA VISET E TJERA TË PUSHTUARA NGA GREQIA PAS VITI 1912

 Dëbimi i popullsisë shqiptare nga Çamëria dhe nga viset e tjera shqiptare të pushtuara nga Greqia gjatë luftërave ballkanike është kryer për helenizimin e plotë të atyre territoreve. Ky proces është kryer forcërisht. Objekt kryesor ishte popullsia myslimane shqiptare e krahinave të Çamërisë, të Konicës, të Kosturit, të Follorinës, të qytetit të Janinës etj. Në dimrin e vitit 1912-1913, ende pa u caktuar kufijtë, nëpërmjet dhunës së ushtrisë greke, të bandave dhe të administratës greke, dhjetëra mijë myslimanë të krahinave të Çamërisë, Përmetit, Kolonjës, Leskovikut, Konicës, Kosturit, Follorinës, Janinës etj. u detyruan të braktisnin vendbanimet dhe të tërhiqeshin në brendi të viseve shqiptare ose të emigronin në Turqi, në ShBA, në Francë etj. Caktimi i kufijve në vitin 1913, jashtë territoreve që i aneksoi Greqia gjeti rreth 10 mijë shqiptarë, të cilët shpresonin të riktheheshin në shtëpitë e tyre. Por, zhvillimet politike deri në fund të Luftës I Botërore dhe politika e shtetit grek më vonë, e penguan një gjë të tillë. Madje, në vitet ’20 (të shekullit XX) shumë shqiptarë të tjerë vazhduan të shpërngulen. Autoritetet greke, ndonëse ishin angazhuar pas Luftës në forumet ndërkombëtare, veçanërisht me Konventën e Lozanës të 23 janarit të vitit 1923, se do të respektonin të drejtat e pakicave, në fakt u mohuan shqiptarëve çdo të drejtë, uzurpuan pronat e tyre dhe i përfshinë ata arbitrarisht në kontingjentin e popullsisë turke që do të shkëmbehej me Turqinë. Protestat e përfaqësuesve të popullsisë shqiptare që jetonte në viset e veta në Greqi dhe ato të Tiranës zyrtare pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha dhe Lidhjes së Kombeve, nuk dhanë rezultate të pritshme. Një komision i përzier i dërguar në pranverë të vitit 1924 nga Lidhja e Kombeve, ra nën ndikimin grek dhe nuk ndihmoi në shqyrtimin dhe në trajtimin e drejtë të çështjes. Në një klimë ndërkombëtare të tillë si dhe nga presioni i gjithanshëm dhe i pandërprerë i autoriteteve greke, gjatë viteve ’20 (të shekullit XX), mbi 60 mijë shqiptarë myslimanë u dëbuan në Turqi dhe në Shqipëri. Ky proces u ndërpre me vendimin e Lidhjes së Kombeve në vitin 1926. 

*   *   *

Në krimet dhe në gjenocidin grek ndaj shqiptarëve ka qenë i përfshirë edhe gjenerali grek me prejardhje shqiptare, Napoleon Zerva (1881-1956). Familja e tij kishte vajtur në Artë nga fshati Zervë i Çamërisë juglindore. Lindi në Artë. Në vitin 1935 u përjashtua nga ushtria greke për pjesëmarrje në kryengritjen ushtarake kundër qeverisë në fuqi. Në korrik të vitit 1942, Partia Popullore greke e dërgoi në grykat e Sulit, për t’i komanduar njësitë ushtarake që kishin filluar të ngriheshin atje. Ai vendosi lidhje me komandën gjermane dhe katër divizione të veta – I, II, IV dhe VII, i vuri në bashkëveprim me armatën naziste në Janinë. Më 27 qershor 1944, divizioni X i komanduar prej tij, hyri në Çamërinë qendrore. Në shtator 1944, e pushtoi edhe Çamërinë veriore. Mbi popullsinë shqiptare të pafajshme të Çamërisë, zervistët kryen krime çnjerëzore. Popullsia u shpërngul në Shqipëri. Kur përfundoi lufta, Zervës iu dha posti i ministrit në qeverinë greke.              

*   *   *

Krimet e andartëve grekë ndaj shqiptarëve;  masakra e Hornovës 

Më 29 prill 1914, në mjediset e manastirit të Shën Mërisë në fshatin fqinj të Kodrës, andartët grekë masakruan 220 burra dhe djem të Hornovës. Ekipi i gjeneral Deverit zbuloi se kufomat e të vrarëve ishin varrosur në oborrin e kishës, në tre varre masive. Holandezët morën masa për rivarrosjen e të vrarëve. Raporti i gjeneral Deverit dhe i ekipit mjekësor i tronditi kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Pesë vjet më vonë, në fund të Luftës I Botërore, u mblodh në Versajë Konferenca e Paqes (1919). Në atë konferencë, njeriu i cili në vitin 1914 e kishte orkestruar marshin funebër të Shqipërisë së jugut, kryeministri grek Elefterios Venizelos (1864-1936), u përpoq t’ua mbushte mendjen përfaqësuesve të fuqive fituese, që t’ia aneksonin atë Greqisë. Por, përfaqësuesit e Fuqive ia përkujtuan atij masakrën e fshatit Hornovë dhe tragjedinë e 300 fshatrave të tjera të Shqipërisë së jugut, të shkretuara dhe të shpopulluara nga bandat gjakpirëse greke. Venizelosit iu tha: “Greqia nuk mund të pretendojë si të vetin një territor ku në vitin 1914 ushtria greke kishte dëbuar me dhunë 80% të popullsisë”.  

Venizelos ishte kryeministër i Greqisë në disa qeveri, në vitet 1910-1923. Në politikën e jashtme shprehu synimet e rretheve nacionaliste të skajshme të Athinës. Ndoqi politikë agresive dhe aneksionuese ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera fqinje. Ishte një nga protagonistë e krijimit të Lidhjes ballkanike, (1912) që çoi në shpërthimin e Luftës I Ballkanike, gjatë së cilës ushtritë greke hynë në territoret shqiptare: në Çamëri, në Korçë dhe në Gjirokastër. Çamëria u aneksua nga Greqia në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 1912-1913. Venizelos bëri përpjekje të mëdha për të përfshirë Shqipërinë e jugut (Gjirokastrën dhe Korçën) në kufijtë e shtetit grek. Në Konferencën e Paqes në Paris nënshkroi me ministrin e Jashtëm të Italisë, Tomaso Titoni (Tomasso Tittoni, 1855-1931) një marrëveshje për ndarjen e Shqipërisë (korrik 1919). Në Luftën e Vlorës më 1920 të zhvilluar kundër pushtuesve italianë, Venizelos nuk u solli pengesa shqiptarëve për arsye se Italinë e konsideronte një rivale të rrezikshme në Ballkan.     

*   *   *

Ligji i luftës Greqi-ShqipëriÇështja e Ligjit të luftës Greqi-Shqipëri është pjesë e çështjes çame. Më 28 tetor 1940 Italia i shpalli luftë Greqisë dhe e sulmoi territorin e saj përmes territorit të aneksuar të shtetit shqiptar. Më 10 nëntor 1940 shpallet dekreti mbretëror grek Nr. 2636 “mbi veprimet juridike të armiqve dhe konfiskimin konservativ të pasurive armike”. Në bazë të këtij ligji, pasuritë e shqiptarëve anembanë Greqisë u vunë nën sekuestrimin konservativ dhe si pasojë ato do të administroheshin nga shteti grek. Më 28 gusht 1987, qeveria greke vendosi për heqjen e ligjit të luftës, por pa e botuar në gazetën zyrtare. 

Ekzistojnë disa akte nënligjore që bazohen te ligji i luftës. Greqia me dy akte nënligjore të Ministrisë së Financave (Nr. 14882) dhe të Ministrisë së Ekonomisë (Nr. 3574), si dhe me ligjin Nr. 4506/1965, ka bërë përjashtim për shtetasit shqiptarë me kombësi greke, duke iu dhënë të drejtën e rifitimit të pronave të sekuestruara. Këtë akt-sekuestro e ka mbrojtur Gjykata Kushtetuese e Greqisë edhe në vitin 1970, duke shpallur vazhdimin e sekuestros së pronave të shqiptarëve me kombësi jo-greke, deri në momentin e shfuqizimit të Ligjit të luftës dhe të nënshkrimit të traktatit të paqes midis Greqisë dhe Shqipërisë. 

Më 29 shtator 1976, prokurori i apelit në Janinë, Vasilios Xhavellas i shkruan Ministrisë së Drejtësisë të Greqisë se ishte detyruar nga po kjo ministri t’i zhdukte të gjitha dosjet me çështjet penale që shteti grek i kishte hartuar ndaj popullsisë çame. 

Deri më sot, dekreti i gjendjes së luftës me Shqipërinë dhe Ligji i sekuestros për pronat e shqiptarëve nuk janë shfuqizuar. 

*   *   *

Më 18 korrik 2024 Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 96 vota heqjen e Ligjit të luftës me Greqinë.