Ballina Kronika E PLOTË/ Shuhen në aksident katër të rinj, 25-vjeçari priti në aeroport...

E PLOTË/ Shuhen në aksident katër të rinj, 25-vjeçari priti në aeroport të vëllanë që u kthye nga Gjermania, shpejtësia u mori jetën

E mërkura e 19 marsit do të ishte tragjike për katër të rinj, të cilët po ktheheshin nga Rinasi kur u përplasën me një betoniere në Fushë-Prezë.

Makina tip “Benz” e cila drejtohej nga 25-vjeçari Enejd Laçi u përfshi nga flakët pas përplasjes. Si pasojë, 25-vjeçari Enejd Laçi, vëllai i tij Erild Laçi, 20 vjeç dhe dy të rinjtë e tjerë Andi Laçi, 22 vjeç dhe Enrikejd Kurti, 24 vjeç humbën jetën. Ata u dogjën brenda makinës dhe pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, flakët rezultuan falate.

Mësohet se të rinjtë po ktheheshin nga Rinasi pasi kishin pritur Erild Laçin, i cili kishte ardhur nga Gjermania.

Si ndodhi aksidenti

Pranë vendit të aksidentit, në afërsi të një karburanti ndodhet një biznes që prodhon beton.

Betonierja e drejtuar nga 24-vjeçari, Aleksandër Krrashi, pasi ishte mbushur, ka dalë në rrugë dhe është nisur në drejtim të Fushë Krujës.

Nuk ka lëvizur më shumë se 20 metra kur ka ndodhur përplasja fatale.

Të rinjtë lëviznin me shpejtësi

Makina me 4 të rinjtë ka ardhur me shpejtësi shumë të lartë nga ana e Vorës dhe e ka goditur nga prapa betonieren, dhe menjëherë ka shpërthyer në flakë pasi “Benzi” ka qenë me gaz-benzinë.

Pritet ekspertiza e ekspertëve për të përcaktuar shpejtësinë që ka patur mjeti me 4 të rinjtë.

Në vendngjarje nuk ka shenja frenimi, çka tregon se drejtuesi i mjetit nuk ka frenuar fare dhe më pas ka përplasur nga pas betonieren.

Drejtuesi i betonieres pa patentë

Nga ana tjetër drejtuesi i betonieres nuk ka patentë për të drejtuar mjete të tonazhit të rëndë (betoniere).

Ekspertët presin gjithashtu përgjigjen nga mjekësia ligjore për të parë nëse të rinjtë kanë qënë nën efektin e alkoolit apo të lëndëve narkotike./vizionplus.tv