Ballina Bota Imamoglu reagon nga burgu pas tubimit masiv në Stamboll: Kombi turk do...

Imamoglu reagon nga burgu pas tubimit masiv në Stamboll: Kombi turk do fitojë, mos e humbni kurrë shpresën

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu me një postim në rrjetet sociale ka dërguar një mesazh mbështetjeje për protestuesit dhe besim në fitoren e popullit kundër padrejtësisë.“Kombi im i dashur, mos e humb kurrë shpresën. Një grusht njerëzish që nuk kanë ndjenjën e drejtësisë dhe ligjit do të humbasin, kombi do të fitojë. Miliona njerëz mbrojtën vullnetin e tyre sot. Faleminderit Stamboll”, shkroi ai.

Mesazhi i Imamoglu, me ngjyrimet e tij të dukshme politike, vjen në një moment veçanërisht kritik, ndërsa reagimet për burgosjen e tij përshkallëzohen në rrugët e metropolit turk.

Qindra mijëra qytetarë turq u mblodhën të shtunën sot në periferinë Maltepe në anën aziatike të Stambollit, duke iu përgjigjur thirrjes së Partisë Popullore Republikane (CHP), për të protestuar kundër arrestimit të Ekrem Imamoglu.

Ishte grumbullimi i parë i madh pas tubimeve që u zhvilluan para bashkisë, në ditët e para pas arrestimit dhe futjen të tij në burgun e Silivrit.

Sipas kryetarit të Partisë Popullore Republikane, u mblodhën 2.2 milionë njerëz. Megjithatë, nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Ankarasë Mansur Yavas, i cili ishte edhe folës, foli për qindra mijëra njerëz të mbledhur.

Masat e sigurisë ishin të rrepta, zona ku u zhvillua tubimi ishte rrethuar me parmakë hekuri dhe policia kontrollonte qytetarët që hynin në zonë. Demonstruesit brohoritën fraza si “Drejtësia”, “Qeveria jep dorëheqjen”, “Të gjithë bashkë ose asnjë”.

Gruaja, djali dhe prindërit e Imamoglu ishin “të pranishëm” në tubimin e protestës. Gruaja e tij, Dilek Imamoglu, ishte një nga folëset në tubim.