Ballina Aktualitet Tragjedia në Koçan, nën përkujdesje mjekësore janë mbi 140 pacientë – të...

Tragjedia në Koçan, nën përkujdesje mjekësore janë mbi 140 pacientë – të transferuarit jashtë shtetit janë në gjendje stabile

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se që nga orët e para të mëngjesit në Qendrën Klinike ka funksionuar Shtabi i Krizave, në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Jashtme. Ekipet e institucioneve shëndetësore janë plotësisht të angazhuara në ofrimin e kujdesit të duhur mjekësor dhe po monitorohet nga afër gjendja e të gjithë pacientëve, me vendim konsullor për procedura të mëtejshme mjekësore.

Gjatë ditës së sotme janë trajtuar mbi 140 pacientë, të shpërndarë në institucionet shëndetësore në të gjithë vendin si më poshtë:

• Qendra Klinike – 20 pacientë
• Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” – 20 pacientë
• Klinika Universitare “Shën Naumi i Ohrit” – 21 pacientë
• Spitali Klinik Shtip – 20 pacientë
• Spitali i Përgjithshëm Koçan – 7 pacientë
• Klinika e Toksikologjisë – 2 pacientë

Përveç kujdesit mjekësor në vend, një pjesë e pacientëve janë transferuar edhe në objektet shëndetësore jashtë vendit, si rezultat i mbështetjes ndërkombëtare dhe bashkëpunimit me vendet partnere:

• Republika e Turqisë: 3 pacientë kanë mbërritur në Stamboll, ndërsa 6 të tjerë janë transferuar drejt Ankarasë.
• Republika e Bullgarisë: 14 pacientë janë shtruar në spital.
• Republika e Greqisë: 4 pacientë janë nën kujdes.
• Republika e Serbisë: 5 pacientë tashmë janë shtruar në spital dhe 12 pacientë të tjerë janë nisur për në Beograd me avion ushtarak.
• Republika e Kroacisë dhe Rumanisë: nga 4 pacientë pritet të dërgohen nesër në secilin prej këtyre vendeve.

• Republika e Sllovenisë, Hungaria dhe Austria: Këto vende pritet që nesër të dërgojnë avionë mjekësorë për të transportuar pacientë.

Të gjithë pacientët që janë transferuar jashtë vendit janë në gjendje stabile dhe nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

Si mbështetje shtesë në përballjen me krizën, një ekip mjekësor nga Akademia Mjekësore Ushtarake e Beogradit ka mbërritur në vend, dhe ekipet mjekësore nga Republika Çeke, Izraeli dhe Belgjika gjithashtu pritet t’i bashkohen përpjekjeve për ofrimin e kujdesit adekuat shëndetësor.
Për të gjitha informacionet lidhur me gjendjen e pacientëve jashtë vendit, person kontaktues është caktuar Prof. Dr. Igor Nikolov, i cili është i disponueshëm në numrin e telefonit: +389 72 270 648.
Ministria e Shëndetësisë mbetet në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente dhe partnerët ndërkombëtarë për koordinim dhe mbështetje të mëtutjeshme./tn