Ballina Aktualitet Aksion në Kosovë, arrestohen 16 persona, mes tyre 4 oficerë të shërbimeve...

Aksion në Kosovë, arrestohen 16 persona, mes tyre 4 oficerë të shërbimeve të sigurisë serbe! Ministri: Njëri prej tyre, i dyshuar për vrasjen e policit Afrim Bunjaku! Ja çfarë u sekuestrua

Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se në një operacion të realizuar nga organet e sigurisë më datat 5 dhe 6 prill, janë ndaluar gjithsej 16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Serbisë.

Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se katër prej të ndaluarve janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. Sipas tij, katër persona janë ndaluar në Gjalkovë dhe 12 në Prizren.

Ministri bën me dije se dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve, pasi janë gjetur dëshmi të lidhjes së tre me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

Mësohet se policia ka gjetur fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative.

“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë.

Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe”, ka njoftuar Sveçla. “Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, shkruan ai.

Sveçla ka thënë se, bazuar në hetimet paraprake, është konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë toger, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit që kreu sulm terrorist në Banjskë, Nemanja Radivojeviqin, të njohur si “Gandi”.

Ky i fundit po ashtu është i afërt i Vladimir Radivojeviqit, me nofkën “Miami”, që është i dyshuar kryesor për vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku.

“Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojeviq, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe.

Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira. Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme. Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tona të sigurisë”, ka shkruar Sveçla.