Ballina Bota Lamtumira e fundit për Papa Françeskun, ceremonia në sheshin “Shën Pjetri”! Liderë...

Lamtumira e fundit për Papa Françeskun, ceremonia në sheshin “Shën Pjetri”! Liderë nga e gjithë bota në Romë për të nderuar Atin e Shenjtë (VIDEO)

Sot do të mbahet ceremonia e varrimit të Papa Françeskut në sheshin “Shën Pjetri” e më pas, trupi i tij do të përcillet nëpër rrugët e Romës drejt Kishës së “Santa Maria Maggiore”, ku edhe do të prehet.

Varri do të jetë i përbërë nga mermer ligurian dhe do të mbajë vetëm mbishkrimin “Françesku” dhe një kryq. Gjatë rrugëtimit rreth 5 kilometra, pjesëmarrës të shumtë do të kenë mundësinë t’i japin Papa Françeskut lamtumirën e fundit. Zyra e Protokollit të Sekretariatit të Shtetit të Vatikanit raporton se janë konfirmuar 130 delegacione për funeralin e Papa Françeskut të shtunën në mëngjes, nga të cilët afërsisht 50 krerë shtetesh dhe 10 sovranë mbretërorë.

Shqipëria do të përfaqësohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ndodhet në Itali. Nga liderët botërorë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump së bashku me zonjën e parë Melania Trump. Princi Uilliam i Britanisë do të marrë pjesë në funeralin në emër të Mbretit Charles, i shoqëruar nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Do të jetë gjithashtu edhe Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenskiy; ai francez Emmanuel Macron dhe shumë liderë të tjerë. Në ceremoni, përveç përfaqësuesve të rangut të lartë, do të jenë të pranishëm edhe refugjatë, emigrantë të jashtëligjshëm dhe të varfrit, si simbol i përkushtimit të Papës ndaj më të pamundurve. Meshën funerale do ta kryesojë kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinalëve. Ajo do të kremtohet nga patriarkë, kardinalë, peshkopë dhe priftërinj nga mbarë bota. Rreth 2.000 policë do të jenë në detyrë, ndërsa mijëra oficerë të tjerë do të angazhohen në përforcimin e sigurisë kombëtare.

Në Romë do të aktivizohen edhe sisteme kundërdron dhe kundërraketë. Masat e sigurisë janë në nivelin më të lartë për shkak të pjesëmarrjes së liderëve botërorë. Të gjitha rrugët përreth Vatikanit do të mbyllen të shtunën. Sakaq, Bazilika e Shën Pjetrit qëndroi e hapur deri në orën 02:30 të mëngjesit të së enjtes dhe u rihap në orën 05:40 të mëngjesit të së premtes.

Nga ora 11:00 e së mërkurës, më 23 prill, deri në orën 12:00 të së premtes, mbi 150.000 njerëz u mblodhën për të përshëndetur Papa Françeskun. Fluksi i besimtarëve drejt Bazilikës ka qenë i pandërprerë. Trupi i pajetë i Papës u vizitua deri në orën 18:00, kur Bazilika u mbyll për publikun. Ata që ndodheshin ende brenda, patën mundësinë të përfundonin homazhet. Sipas zëdhënësit të Vatikanit, Matteo Bruni, Bazilika nuk mund të qëndronte më e hapur për arsye sigurie.

Ai deklaroi se ajo do të shërbejë si pikë kalimi për delegacionet e huaja që marrin pjesë në funeral dhe se në mbrëmje do të zhvillohet edhe rituali i mbylljes së arkivolit. Ndërkohë, në kishën “Santa Maria Maggiore” po përgatitet varri ku do të prehet Papa Françesku./Gazeta Panorama