Ballina Kronika Të gjitha detajet/Aksidenti në aksin Kërçovë-Gostivar, përplasen 3 automjete, 3 të vdekur...

Të gjitha detajet/Aksidenti në aksin Kërçovë-Gostivar, përplasen 3 automjete, 3 të vdekur dhe 8 të plagosur, shkak shpejtësia e lartë (VIDEO)

Shpejtësia e madhe është shkaku i aksidentit të trafikut të mbrëmshëm që ka ndodhur në rrugën Kërçovë-Gostivar, në afërsi të vendit të quajtur “Pusi i Seferit”, ku tre persona kanë humbur jetën dhe tetë janë lënduar.

Në aksident u përfshinë tri makina: Një makinë e tipit „Mercedes“ me targa regjistrimi të Kërçovës, e drejtuar nga 64-vjeçari nga Manastiri, makina e tipit „Ford“  e drejtuar nga 63-vjeçari nga fshati Stragomishtë e Epërme dhe makina e tipit „Opel“ me targa të Kërçovës, e drejtuar nga një 38-vjeçar nga Gostivari.

Në të dy anët e rrugës qëndrojnë copa të mëdha të tre makinave të përplasura dhe pellgje me vaj të derdhur. Dy vozitës kanë humbur jetën në vend, një 63-vjeçar nga Manastiri i cili drejtonte veturën Mercedes dhe një drejtues 38-vjeçar i një Opel-i nga Gostivari.

Nga i njëjti Opel, plagëve të marra në spitalin e Kërçovës iu nënshtrua një grua 38-vjeçare. Xhamat e përparmë të tre mjeteve që u hoqën për të nxjerrë 8 të plagosurit, disa prej tyre në gjendje të rëndë, janë ende në vendngjarje. Hetimi është në vazhdim.

Ministri Toshkoski apelon deri te përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e komunikacionit, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me shpejtësinë maksimale të lejuar.

Prokuroria ka bërë të ditur sot se nga vendi i aksidentit janë grumbulluar gjurmë dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës mjeko-ligjore. Ata janë duke hetuar shkaqet e aksidentit, ndërsa është dhënë urdhër për autopsi të trupave të të ndjerëve, si dhe për analizë për praninë e mundshme të alkoolit dhe substancave të tjera te të plagosurit.

Ky është vendi ku mbrëmë ndodhi aksidenti tragjik në rrugën magjistrale në Kërçovë, kur si pasojë në vendin e ngjarjes mbetën 3 viktima.

“Ndodhemi në rrugën magjistrale të Kërçovës pikërisht ku mbrëmë ndodhi një aksident tragjik. Në këtë aksident u përfshinë tre vetura dhe humbën jetën tre persona. Ky vend ku ndodhemi në është magjistralja e cila kalon përmes Kërçovës, ndërsa vendi quhet tek bunari i Seferit. Kërçovarët e dinë se ky vend tanimë njihet për aksidente të shumta të cilat përfundojnë me fatalitet”, raporton gazetarja Salije Sadiku Pinjolli nga TV21.

Raporti i Sektorit për punë të Brendshme Ohër njoftoi për identitetin e tre viktimave.

“Në vendin e ngjarjes ka vdekur Z.D dhe H.E, ndërsa bashkudhëtarja në veturën Opel B.E 38 vjeç u transferua në Urgjencën e Kërçovës ku ndërroi jetë. Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor ndërsa me urdhër të Prokurorit Publikë trupat e pa jetë janë dërguar për obduksion”, tha Stefan Dimovski, zëdhënës i SPB Ohër.

Në aksident siç thuhet në raportin e policisë morën pjesë tre vetura: Mercedes, Ford dhe Opel.

Nga ky aksident mbetën të lënduar 8 persona te tjerë mes të cilëve edhe fëmijët e çiftit.

“Në veturë kanë qenë 6 persona prej të cilëve një çift bashkëshortor të cilët kanë ndërruar jetë, ata janë qytetarë me dokumente të jashtme me prejardhje nga qyteti jonë. Gjithashtu në veturën e tyre ka pasur edhe 3 fëmijë të tyre që janë minoren të lindur në vitet 2013, 2016 dhe 2021 në veturën e tyre ka qenë edhe një person më i vjetër, nëna e njërit nga të vdekurit. Çifti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes ndërsa gruaja më e moshuar është në gjendje stabile me trauma dhe është dërguar me ndihmën e shpejtë në spitalin Shën Naumi i Ohrit në Shkup. Të tre fëmijët janë stabilizuar, u janë vendosur mjekime intravenoze dhe janë dërguar në Shkup me ndihmën e shpejtë në Klinikën Kirurgjike për fëmijë, një nga fëmijët është në gjendje më të rëndë”, tha Maja Cvetanovska Trajkovska, drejtoresh e Spitalit të Kërçovës.

Për këtë ngjarje të rëndë e cila tronditi Kërçovën foli edhe Ministri i Punëve të Brendshme Panço Toshivski i cili tha se sipas informacioneve që posedon, shpejtësia e lartë ka qenë arsye e aksidentit fatal.

“Sipas informacioneve të para që i morra bëhet fjalë për një shpejtësi të lartë nga ana e njërit nga pjesëmarrësit në aksident i cili për fat të keq ka nderuar jetë”, tha ministry I Punëve të Brendshme Panço Toshkovski.

Nga Prokuroria Publike njoftuan se janë marrë të gjitha provat e nevojshme për të vërtetuar shkakun e aksidentit, ndërsa trupat e pa jetë me urdhër të Prokurorisë janë dërguar për obduksion.

Shpejtësia e lartë është arsyeja kryesore për aksidentet rrugore në vend, dhe pasojat më së shpeshti janë fatale. Sipas të dhënave nga MPB, në fundjavën e 5 dhe 6 prillit të këtij viti në rrugët e vendit janë regjistruar 543 kundërvajtje për tejkalim të shpejtësisë. Janë evidentuar gjithashtu edhe shumë shoferë që kanë përdorur telefonin gjatë vozitjes, si dhe një numër jo i vogël i shoferëve nën ndikimin e alkoolit, gjë që përbën rrezik në trafik. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, thotë se numri i viktimave në rrugë është shqetësues.

“Numri i viktimave në trafik për tremujorin e parë është përafërsisht i njëjtë me numrin e viktimave që kemi pasur vitin e kaluar, megjithatë duhet të them se këto shifra janë katastrofale, krahasuar me standardet evropiane që i kemi analizuar, dhe në të ardhmen duhet të fokusohemi maksimalisht në qetësimin e trafikut”, deklaroi Toshkovski.

Sipas analizave të Këshillit Republikan për Sigurinë Rrugore, numri i të vdekurve po rritet nga viti në vit. Kështu, në vitin 2021 numri i të vdekurve ishte 116, në vitin 2022 u rrit në 124, në 2023 në 127, ndërsa në 2024 humbën jetën 142 persona. Krahasuar me vendet e rajonit, numri i të vdekurve vitin e kaluar ishte pak më i lartë në raport me numrin e banorëve. Në Serbi humbën jetën 501 persona, në Greqi ky numër u rrit në 654, ndërsa në Bullgari vdiqën 479 persona. Ministri Toshkovski bën apel për kujdes nga ana e shoferëve.

Viti Numri i të vdekurve

| 2021 | 116 |
| 2022 | 124 |
| 2023 | 127 |
| 2024 | 142 |

“Do të doja të bëj një apel për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, sidomos për ata që drejtojnë mjete motorike, që të respektojnë rregullat e trafikut, në veçanti ato që kanë të bëjnë me shpejtësinë maksimale të lejuar, sepse në raste kur – dhe ekspertët e thonë këtë – kur kemi përplasje të drejtpërdrejt me shpejtësi mbi 70 kilometra në orë, siç ishte ajo që ndodhi dje, përqindja e pasagjerëve që mbijetojnë është pothuajse zero”, tha Toshkovski.

Masat për siguri më të madhe dhe ulje të numrit të viktimave në rrugë pritet të arrihen me aktivizimin e projektit “Safe City”, i cili fillimisht do të implementohet në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, e më pas në të gjithë territorin e shtetit.