Bulevardi “Vidoe Smilevski-Bato”, në gjatësi prej 700 metra u lëshua sot në përdorim. Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se projekti ka kushtuar 1.1 milion euro. Ky bulevard i cili aktualisht nuk ka dalje në fshatra, duhet të lidhet me qarkoren e Tetovës, afati i ndërtimit të së cilës u shty, transmeton Portalb.mk.
“Ky projekt është i rëndësishëm sepse po as sa zgjidh një ndër problemet më të mëdha të komunës në infrastrukturës, është i rëndësishëm sepse paralajmëron një valë të madhe investimesh në infrastrukturë, të përkrahura nga Qeveria, që për këtë vit për Tetovën do jetë me vlerë prej 15 milion euro dhe që pjesa më e madhe e tyre janë për infrastrukturë rrugore”, tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në promovim morën pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti të cilët folën në përgjithësi për rëndësinë e projekteve komunale për banorët e vendit dhe se do të ketë investime të reja për komunat nga thirrja e dytë e Qeverisë.
Kujtojmë se ende nuk kanë filluar punimet për projektet e Komunës së Tetovës të fituara nga Qeveria në thirrjen e parë.