Ballina Top Lajm VDES LAUREATI I ÇMIMIT “NOBEL” MARIO VARGAS LOSA

VDES LAUREATI I ÇMIMIT “NOBEL” MARIO VARGAS LOSA

Nga Xhelal Zejneli

Shkrimtari peruan, laureat i çmimit “Nobel” Mario Vargas Losa ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare. Vdiq në mëmëdheun e vet, në Peru. Ishte personalitet i jashtëzakonshëm i letërsisë dhe të kulturës së Amerikës Latine, i cili rrallëherë përulej para kundërshtive. 

La pas vetes mbi pesëdhjetë vepra. Shumë prej tyre janë përkthyer në një numër të madh gjuhësh të huaja.  Vargas Losa e ka marrë çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 2010. Me rastin e marrjes së çmimit, anëtarët  jurisë e quajtën “tregimtar me dhunti hyjnore ”. Në veprat e veta e paraqiti autoritarizmin, dhunën dhe maçizmin apo maskulizmin. Krijimet e tij shquhen për gjuhën e pasur dhe figurative. Kjo ndikoi që Vargas Losa të konsiderohet yll i Bumit letrar të Amerikës Latine, lëvizje kjo e cila në përmasa globale e tërhoqi vëmendjen e botës në këtë kontinent. 

Në fillim të veprimtarisë së vet, Losa anonte kah idetë majtiste. Më vonë u dëshpërua prej lëvizjeve revolucionare të Amerikës Latine, ndaj në vitin 1990 u kandidua për kryetra të Perusë, si përfaqësues i një partie të qendrës së djathtë, por nuk pati sukses.

Vargas Losa lindi në Arekip (Arequipa), në jug të Perusë, në vitin 1936. Është vit kur kanë lindur edhe Ismail Kadareja, Adem Demaçi, Bekim Fehmiu, Rexhep Qosja.. Losa i përket një familjeje të klasës së mesme. Prindërit iu shkurorëzuan qysh kur ishte foshnjë. Me stërgjyshin dhe me stërgjyshen u shpërngul në Koçabambë në Bolivi. Kur i mbushi dhjetë vjet, u kthye në Peru. Në moshën 16-vejeçare e shkroi dramën e parë “Ikja e inkëve”. Diplomoi në Universitetin e Limës. Studioi edhe në Spanjë. Më vonë u vendos në Paris.      

Romani i parë i tij “Kohë e heronjve” paraqet akuzë ndaj korrupsionit dhe keqtrajtimeve në shkollën ushtarake të Perusë. E shkroi në kohën kur ushtria kishte në vend ndikim të madh politik dhe shoqëror. Romani u botua në vitin 1962. 

Imazhet e fuqishme dhe demaskuese në roman u dënuan nga shumë gjeneralë të Perusë, saqë njëri prej tyre e fajësoi se ka “mendje të deformuar”.  

Losa e shkroi romanin i frymëzuar në ditët kur Losa ishte tinejxher në Akademinë Ushtarake në Leoncio Prado të cilën në vitin 1990 e përshkroi si një “përvojë tejet traumatike”. Atje i kaloi dy vjet. Kjo e shtyri që Perunë ta shohë si një vend me shoqëri të dhunshme, me plot trishtime, të përbërë prej fraksioneve sociale, kulturore dhe racore kryekëput kundërthënëse”.  Vargas Losa thotë se shkolla ushtarake dogji në oborrin e vet 1.000 kopje të romanit të tij.      

Ngjarja e romanit të tij të dytë, eksperimental “Shtëpia e gjelbër” (1966) është vendosur në një shkretëtirë dhe xhungël peruane. Aty autori flet për një lidhje rufjanësh, misionarësh dhe ushtarësh të tubuar pranë një shtëpie publike.

Këto dy romane ndihmuan në themelimin e Bumit letrar latinoamerikan gjatë viteve 1960… dhe 1970. Kjo lëvizje karakterizohej nga vepra eksperimentale dhe kryekëput  politike të cilat e pasqyronin kontinentin që përjetonte tronditje politike, sociale, ekonomike dhe morale.

Shënim: Mbartës të bumit letrar latinoamerikan ishin shkrimtari peruan Mario Vargas Losa, shkrimtari kolumbian Gabriel Grasia Markez, tregimtari dhe romancieri argjentinas Hulio  Kortasar (Julio Cortazar, 1914-1984) dhe prozatori meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1928 – 2012). Lëvizja lindi në gjysmën e viteve ’70 të shekullit XX. 

*   *   *  

Autorë kryesorë të asaj lëvizjeje ishin shkrimtari kolumbian, laureat i çmimit “Nobel”, Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márques, 1927-2014), i njohur për stilin e realizmit magjik.si dhe Mario Varga Losa.. Herë-herë, midis këtyre dyve shfaqej një rivalitet. Që të dy fituan famë botërore. Në një kinema në Meksikë në vitin 1976, Mario Varga Losa i ra me grusht Gabriel Garsia Markezit. Që atëherë ata nuk kanë folur me njëri-tjetrin. Për shkaqet e incidentit ka versione të ndryshme. Shokët e Markezit thonë se ata janë zënë për shkak të miqësisë së tij me gruan e atëhershme të Varga Losës – Patrisian, ndërsa në vitin 2017 Varga Losa u ka thënë studentëve të universitetit në Madrid se ata janë zënë për shkak të qëndrimeve të kundërta për Kubën dhe për udhëheqësin komunist të saj, Fidel Kastron (Fidel Alejandro Castro Ruz, 1926-2016) .    

Në vitin 2007 u pajtuan, kurse pas tre vjetëve, d.m.th. në vitin 2010, Varga Losa e fitoi çmimin “Nobel”. Ishte i dyti shkrimtar i Amerikës së Jugut që e mori atë shpërblim, pas Gabos (Markezit), i cili u vlerësua me këtë çmim në vitin 1982.  

Pjesa më e madhe e krijimtarisë së Varga Losës është e lidhur ngushtësisht me paqëndrueshmërinë dhe dhunën në pjesë të caktuara të Amerikës Latine gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur rajoni kalonte nëpër valët e revolucioneve dhe të regjimeve ushtarake.  

*   *   *

Emri i këtij krijuesi figuron edhe si Mario Vargas LLosa. Ky është tregimtar dhe eseist. Pothuajse nuk ka episod nga jeta e tij dhe nga mjedisi i tij i afërt që nuk e ka shfrytëzuar si bazë për shumë romane të tij. U shkollua në Piur dhe në Limë. Ishte i vendosur në internatin ushtarak. Përjetoi dashurinë që në moshë të mitur dhe pati një martesë me një grua të shkurorëzuar. Studioi dhe mori pjesë në qerthuj marksistësh, punoi në radio dhe në gazeta, udhëtoi në Amazoni, u martua me mbesën (vajzën e motrës), Patrician. Pas procesit ndaj poetit kuban Heberto Juan Padilla (1932-2000), u shkëput nga opsioni politik të Kubës. Prej fundit të viteve ’50 të shekullit XX jeton në Evropë – në Madrid, në Paris dhe në Londër. Atje ligjëron, shkruan, bashkëpunon në gazetat kryesore të botës dhe vlerësohet me mirënjohje letrare. Kah fundi i viteve ’80 të shekullit XX aktivisht përfshihet në politikë. Pas dështimit në zgjedhjet peruane për kryetar shteti të mbajtura në vitin 1990, u tërhoq i dëshpëruar. Në vitin 1993 mori shtetësinë spanjolle. Ishte përfaqësues “i realizmit të ri”. Ishte një prej nismëtarëve të boom-it hispanoamerikan që e paralajmëroi në romanin “Qyteti dhe kadetët” (La ciudad y los perros, 1963) të botuar në Barcelonë. Karakteristika themelore të prozës së tij janë synimi për polifoni, aftësia e thurjes dhe inovacioni. Çdo titull i tij pas përmbledhjes me tregime “Prijësit” (Los jefes, 1959) tregon se autori ndryshon vazhdimisht. Në romanin “Qyteti dhe kadetët” autori evokon qëndrimin e vet në internatin ushtarak. Njëherazi, është një rrëfim për ndërgjegjen fëmijërore dhe ushtarake si dhe për pastërtinë morale. Romani “Shtëpia e gjelbër” (La casa verde, 1965) e shkatërron fabulimin linear dhe me një teknikë filmike ndërthur disa fate të veçanta në hapësira dhe në kohë të ndryshme. Vepra vëllimore “Bisedë në tavernë” (La Catedral, 1969) ose (Conversación en la Catedral) është një pasqyrë komplekse e degradimit të shoqërisë peruane gjatë periudhës së diktaturës së Manuele Apolinario Odría Amoretti. 1897-1974). Kritika e konceptit ushtarak rigid, plot humor që në veprat e tij rrallë haset, paraqitet në romanin “Pantaleoni dhe batalioni i zbrazët” (Pantaleón y las visitadoras, 1973) ku “batalioni i zbrazët” është eufemizëm për prostitutat që i paguan ushtria për garnizonet e largëta në pyjet e pashkelura. Pasqyrimi verist i dashurisë është paraqitur në veprën “Halla Julia dhe shkarravitësi” (La tia Julia y el escribidor, 1977). Për këtë vepër u ballafaqua edhe me gjykatën. Episodi historik në Brazil kah fundi i shekullit XX, rebelimi i fanatikëve fetarë kundër Republikë së re, të cilën ata e quajnë si vepër të djallit, është orekstruar me mjeshtri në romanin-lumë me titull “Lufta në fund të botës” (La guerra del fin del mondo, 1981). Vepra “Historia e Majtit” (Historia de Mayta, 1984) flet për dështimin politik të koncepteve trockiste në rininë e autorit. Vepra “Kush e vrau Palomino Moleron” (Quién mató a Palomino Molero?, 1986) i përket zhanrit kriminalistik. Vepra “Elozhe njerkës” (Elogio de la madrastra, 1988) i përket zhanrit të romaneve erotike. Vazhdim i saj është vepra “Shënimet e Don Rigobertos” (Los cuadernos de Don Rigoberto, 1997). Proza “Lituma në Ande” (Lituma en los Andes, 1993), me ndërthurjen e zhdërvjelltë të rrëfimit sentimental dhe të skenave mizore të egërsisë guerile, ngjall atmosferën e Perusë në të cilën bën kërdi lëvizja Sendero Luminoso.

Shënim: Sendero Luminoso do të thotë Rruga e shndritshme. Zyrtarisht: Partia Komuniste e Perusë. Ka qenë parti peruane dhe lëvizje guerile e cila fuqishëm e tronditi Perunë dhe ekonominë e tij, në vitet ’80 të shekullit XX. U themelua në vitin 1970. Ideologjia e saj ka qenë marksizëm-leninizmi dhe maoizmi. Udhëheqës të lëvizjes kanë qenë Abimael Guzmán në vitet 1970-1992) dhe Óscar Ramirez në vitet 1992-1999.

*  *   *

Romanin “Festa e përçit” (La fiesta del chivo, 2000) autori ia kushtoi periudhës së përgjakshme të diktaturës të sundimtarit dominikan Rafael Leónidas Trujillo (1891-1961) i cili njihej me nofkën El Chivo (cjap, përç). Trujillo u vra në atentat.   

Pikëpamjet për letërsinë në mënyrë më të thuktë i ka paraqitur në studimet: “Garsia Markezi: historia e një vendimi” (García Márques: historia de un deicidio, 1971), “Orgjia e përhershme” (Orgia perpetua – Flaubert y Madame Bovary, 1975), “Hose Maria Arguedas dhe fiksionet e indigjenizmit” (José María Arguedas y las ficciones del indigenismo, 1997).

Prej veprave teatrore dallohen: “Zonjusha nga Tacna” (La senorita de Tacna,1981), “Kati dhe hipopotami” (Kathie y el hipopótamo, 1983), “La Chunga” (1986), “I marri i ballkonit” (El loco de los balcones, 1993) “Sytë e bukur, fotografitë e këqija” (Ojos bonitos, cuadros feos, 1996).