Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbylli fushatën elektorale në Berat e në Durrës, duke iu bërë apel qytetarëve ta vënë në provë opozitën për vetëm 100 ditë.
Lideri i opozitës premtoi se i duhen vetëm 100 ditë për të rritur pagat e pensionet, për të ulur çmimin e energjisë dhe naftës e për të lehtësuar qytetarët nga rritja e çmimeve.
“Nga çdo skaj i vendit ne do përzëmë me dorë të hekurt mjerimin, varfërinë e skajshme nga vatrat e shqiptarëve. Çdo qytetar shqiptar do marrë minimumin jetik 200 euro. Çdo pensionist nuk do marrë pensionin jo më pak se 200 euro. Ja pse duhen 100 ditët”, tha Berisha.
Nga Durrësi, Berisha deklaroi se Partia Demokratike do i japë fund fenomenit të largimit të shqiptarëve nga vendi. Premtimi i tij kryesor ishte për të rinjtë dhe Berisha shpjegoi se PD do të miratojë Paktin Kombëtar për Rininë.
“Hiqet mesatarja për universitetet. Çdo i ri dhe e re që diplomohet, në kuadrin e paktit kombëtar për rininë, do ketë një vend pune të garantuar në sektor publik ose privat”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, korrupsioni i qeverisë Rama është arsyeja pse situata ekonomike e qytetarëve është e vështirë, duke përmendur rastin e inceneratorit të Tiranës që nuk është ndërtuar.
“Në mënyrën më të papërgjegjshme, Edi Rama deklaronte mbrëmë, i thoshte gazetarit, epo u djegshi në djegës. Pasi ka marrë 130 milionë euro, tani kur i kërkojnë llogari, ‘u djegshi’ thotë. Jo Edi Rama. Të garantoj se ai djegës që nuk u ndez kurrë, do të djegë në mënyrë përfundimtare karrierën tënde politike”, përfundoi Berisha.
Pas Durrësit, Berisha takoi mbështetësit e tij në Klos, duke u bërë apel që të dielën me votën e tyre të sjellin rotacionin në Shqipëri.
@tetovanews
@tn.lajmelokale