18 persona u plagosën me thikë në një stacion treni në qytetin gjerman të Hamburgut. Autorja është një grua 39-vjeçare e vënë në pranga nga policia. Departamenti i zjarrfikësve të qytetit tha fillimisht se 12 persona ishin gjetur të plagosur, por më vonë shifrat u rritën.
Një zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve të Hamburgut i tha agjencisë së lajmeve AFP se 4 nga të lënduarit janë në rrezik për jetën ndërsa 6 të tjerë janë në gjendje më të rëndë, por të stabilizuar. Policia deklaroi se beson që autorja veproi e vetme. Motivet e saj mbeten të paqarta.
Një video e publikuar në mediat sociale tregon të dyshuarën me duart pas shpine duke u shoqëruar jashtë platformës së stacionit nga oficerët që e futën në një automjet policie. Stacioni Qendror i Hamburgut është një nga qendrat më të ngarkuara të transportit në Gjermani, me më shumë se 550 mijë udhëtarë në ditë.
Shpesh është i mbushur me njerëz gjatë orës së pikut të së premtes. Ky është i fundit në një seri sulmesh të dhunshme në Gjermani në muajt e fundit. Kancelari Friedrich Merz reagoi duke e konsideruar të tmerrshme atë që ka ndodhur. ©LAPSI.al
@tetovanews
@tn.lajmelokale