Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot komunitetin në zonën Mazgit–Bernicë, ku një aksident me biçikletë ka rezultuar me fatalitet.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se viktima është Erion Bytyqi, 15 vjeç, nxënës i klasës së IX-të, i cili ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve të rënda trupore të pësuara gjatë aksidentit.
Burimet tona konfirmojnë se Erioni ishte përfshirë në një incident me biçikletë dhe ishte parë nga dëshmitarë okularë i gjakosur në kokë dhe pa vetëdije, çka shtoi dyshimet për lëndime të rënda që i rrezikonin jetën. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve për ndihmë mjekësore, ai nuk arriti të mbijetojë.
Detajet mbi mënyrën e saktë se si ndodhi aksidenti ende nuk janë konfirmuar nga autoritetet, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Sinjali i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bytyqi për humbjen e parakohshme dhe tragjike të Erionit.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Prishtinës, e cila ka njoftuar se një i mitur është gjetur pa shenja jete.
“Rreth orës 19:45, është pranuar informata se në rrugën që shpie për në fshatin Bërnicë të Prishtinës dyshohet për një vetaksident me biçikletë”.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se, viktima, mashkull, rreth 15 vjeç, është pa shenja jete. Aktualisht policia me vëmendje të shtuar po vijon punën hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.
Shfmu: Dr.Ibrahim Rugova Obiliq:
Me dhimbje e pikëllim të thellë ju njoftojmë se, si pasojë e një vetaksidenti me biçikletë, më datë 22.05.2025 ka ndërruar jetë nxënësi ynë Erion Bytyqi, nxënës i klasës së IX-të.
Në prag të përfundimit të vitit shkollor, kjo tragjedi ka tronditur mësuesit, shokët, shoqet dhe gjithë stafin e shkollës, duke lënë pas një heshtje të rëndë. Shembulli i Erionit si nxënës i shkëlqyer dhe djalë i edukuar le të mbetet udhërrëfyes për bashkëmoshatarët e tij.
Të pafuqishëm përballë kësaj dhimbjeje të madhe, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Bytyqi, shokëve, shoqeve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën Erionin.
Jemi me ju në çdo çast, në çdo lutje, dhimbje e lot për Erionin!
Pushofsh në paqe, Erion. Kujtimi yt do të jetojë gjithmonë në zemrat dhe mendjet tona.
Me pikëllim të thellë,
Drejtoria e Shkollës!
@tetovanews
@tn.lajmelokale