Rikard Jozwiak, REL
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, e viziton Brukselin më 9 maj për takime në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ditët e tij të para në detyrë kanë qenë të vrullshme, me agjendë të ngarkuar ndërkombëtare.
Nga Merz – i cili këtë javë doli në skenën ndërkombëtare duke premtuar se do të sjellë energji të re në politikën e jashtme gjermane dhe evropiane – pritet shumë.
Kancelari i ri gjerman pati një fillim që i dha siklet atij. Për herë të parë në historinë e vet, Bundestagu u detyrua të votonte dy herë për ta emëruar atë, pasi Merzit i munguan gjashtë vota në votimin e parë.
Pra, nuk ishte tamam mbështetja që i nevojitej udhëheqësit të vendit më të rëndësishëm të BE-së.
Mbase çështja më e ngutshme me të cilën përballet Merz është marrëdhëniet jo edhe aq të mira me administratën amerikane, e cila po vë në dyshim pothuajse çdo aspekt të rendit liberal botëror, mbi të cilin është mbështetur politika gjermane pas Luftës së Dytë Botërore.
Merz duhet ta mbledhë një “koalicion vullnetit”, të përbërë kryesisht nga vende evropiane, për ta mbështetur Ukrainën – dhe më e rëndësishmja, për ta sfiduar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Pastaj vijnë sfidat e brendshme: ringjallja e ekonomisë gjermane, e cila u tkurr si në vitin 2023 ashtu edhe në 2024 dhe pritet të jetë e dobët edhe këtë vit; dhe gjetja e një përgjigjeje ndaj partisë populiste të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli e dyta në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit dhe tashmë është e para, bashkë me kristiandemokratët e Merzit në sondazhet publike.
Merz tashmë ka bërë ndryshime në rregullat e rrepta për borxhin e vendit, për ta mundësuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe krijimin e një plani investimi prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën.
Ai shpreson se me këtë do ta gjallërojë ekonominë – dhe se do t’i shmangë pakënaqësitë që do të mund ta bënin AfD-në edhe më të fuqishme në zgjedhjet e ardhshme pas katër vjetësh.
Megjithatë, duket se pikërisht në arenën ndërkombëtare kancelari i porsazgjedhur do të përpiqet të lërë përshtypjen më të fortë në fillim.
Në agjendën e kësaj jave ai ka Parisin, Varshavën, Brukselin dhe Londrën, në përpjekje për ta forcuar unitetin evropian, dhe Merz pritet t’i shënojë disa fitore të hershme simbolike.
Merz është i etur ta rigjallërojë “Trekëndëshin e Vajmarit” mes Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri polak, Donald Tusk, ndajnë të njëjtat pikëpamje për shumicën e çështjeve të politikës së jashtme.
Ata do të kërkojnë rritje të shpenzimeve evropiane për mbrojtjen, më shumë sanksione ndaj Rusisë, hapjen e negociatave të anëtarësimit për Ukrainën dhe rritje të mbështetjes ushtarake për Kievin – përfshirë miratimin për dërgimin e raketave gjermane Taurus, gjë që nuk ishte politikisht e mundur nën qeverinë e mëparshme gjermane.
Në lidhje me Britaninë, Merz do të inkurajohet nga bashkëpunimi më i ngushtë politik dhe ushtarak që pritet të miratohet në samitin e parë BE–MB që nga Brexit-i, më 19 maj në Londër. Zgjedhjet e tij për ministrat e rëndësishëm – Johann Wadephul si ministër të jashtëm dhe mbajtja në detyrë e socialdemokratit të njohur Boris Pistorius si ministër i mbrojtjes – kanë qetësuar partnerët ndërkombëtarë.
Por, ai do të përballet edhe me “klientë të vështirë”.
Merz do të duhet të përballet me populistët e Evropës Qendrore, kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, dhe atë të Sllovakisë, Robert Fico.
Ata e kanë penguar BE-në ta mbështesë politikisht dhe financiarisht Ukrainën dhe kanë parandaluar vendosjen e ndëshkimeve më të ashpra ndaj Kremlinit.
Sfidën më të madhe, megjithatë, do ta përbëjë presidenti amerikan, Donald Trump.
Në letër, ata kanë disa ngjashmëri: të dy janë parë si “autsajderë” me përvojë të kufizuar politike para se ta merrnin pushtetin, por me përvojë të bollshme në bordet e kompanive dhe fushat e golfit.
Merz ka qenë gjithashtu atlantist i zjarrtë deri vonë, por si shumë gjermanë, mbeti i zhgënjyer nga kritikat e ashpra të nënpresidentit amerikan, JD Vance, ndaj Evropës në Konferencën e Sigurisë në Munih në shkurt dhe nga trajtimi që iu bë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë në mars.
Menjëherë pas fitores së tij në zgjedhje, Merz bëri thirrje për një Evropë më të pavarur nga SHBA-ja. Më vonë ai kritikoi ministrat amerikanë të kabinetit dhe iu bëri thirrje që të mos ndërhyjnë në politikat e brendshme të Gjermanisë.
Kjo pasoi kritikat nga Uashingtoni ndaj vendimit të agjencisë së inteligjencës së brendshme gjermane për ta shpallur AfD-në si organizatë ekstremiste.
Por, rëndësi kanë çështjet praktike. Dhe këtu, Merz ka ende nevojë për mbështetjen e Uashingtonit për pak më gjatë. Ai do të takojë Trumpin në samitin e G7-ës në Kanada në mes të qershorit dhe më pas në samitin e NATO-s në Hagë më vonë gjatë atij muaji.
Dy gjërat që Merz do t’i kërkojë me ngulm janë: përkushtimi i SHBA-së ndaj aleancës ushtarake dhe vazhdimi i pranisë ushtarake amerikane në Gjermani.
Ai gjithashtu dëshiron të sigurojë që ekonomia gjermane e përqendruar te eksporti të mos përballet me tarifa të larta amerikane, të cilat për momentin janë pezulluar deri më 8 korrik, ndërkohë që Brukseli dhe Uashingtoni përpiqen të arrijnë një marrëveshje tregtare.
Merz thjesht nuk mund të përballojë shumë telashe të tjera.
@tetovanews
@tn.lajmelokale