Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh se kjo javë pritet të jetë vendimtare për krijimin e kushteve që mund t’i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Deklarata u bë të dielën gjatë një takimi trepalësh në Romë me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe zëvendëspresidentin e SHBA-së, J.D. Vance. Sipas Ukrinform, duke cituar shërbimin për shtyp të Komisionit Evropian, von der Leyen theksoi se gjatë bisedimeve u trajtua gjerësisht çështja e Ukrainës.
“Dua të theksoj rëndësinë e përbashkët që i japim arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. E vlerësoj shumë angazhimin tuaj për t’i dhënë fund kësaj lufte”, i tha ajo Vance.
Ajo shtoi se “është thelbësore të shtyjmë përpara dhe besoj se java e ardhshme do të jetë vendimtare në këtë drejtim”.
Ndërkohë, kujtojmë se presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se të hënën, më 19 maj, do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, e më pas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
@tetovanews
@tn.lajmelokale