Nga Xhelal Zejneli
“Vuajtjet e djaloshit Verter” (Die Leiden des jungen Werthers) është roman i shkrimtarit gjerman Johan Volfgan fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832). E shkroi në vitin 1774. Heroi i romanit, e rrëfen në letra disponimet shpirtërore më delikate dhe pikëllimet dashurore. Ky është suksesi i parë botëror i romanit gjerman në letërsinë e kohës së re. Pasuria e jetës psikike të Verterit (Werther) dhe synimi për zhvillimin e lirë të personalitetit, janë në kundërshti të dhimbshme me konvencionet shoqërore. Kjo kundërshti do ta shtyjë Verterin në vdekje. Tema e kësaj proze lirike e ka shprehur ndjenjën jetësore të një sërë brezave në mbarë Evropën.
Me këtë vepër korri sukses të çmuar. Romani u shkrua në formë epistolarë (në formë letrash). Sipas këtij romani lindi edhe shprehja verterizëm me të cilën nënkuptohet sentimentalizmi i tepërt dhe disponimi romantik i tepërt, ngarkimi emocional, moda e imitimit të veshjes së Verterit dhe të pikëpamjeve mbi botën.
Personazhet në vepër bazohen në persona të vërtetë nga jeta e Gëtes. Figura e Verterit është inspiruar nga jeta e mikut të tij i cili për shkak të dashurisë bëri vetëvrasje.
“Vuajtjet e djaloshit Verter” është vepër e rëndësishme e lëvizjes Sturm und Drang (Stuhi dhe vrull) që u krijua brenda disa javëve. Vepra i kundërvihet fuqishëm poetikën klasiciste. Është roman që i shpreh ndjenjat, përkatësisht dhimbjen botërore (weltschmerz), njohjen e tmerrshme për kotësinë e ekzistimit të njeriut dhe për mosekzistimin e sinqeritetit dhe të ndjeshmërisë së vërtetë.
* * *
Romani kryesisht është përmbledhje e letrave të cilat poeti dhe piktori i ri ia shkruan mikut të vet. Verteri dashurohet te Loto (Lotto) e cila është e fejuara e Albertit. Për shkak të dashurisë së pafat të cilën nuk mund ta realizojë, Verteri ia merr vetes jetën.
* * *
Duhet ditur përmbajtjen e shkurtër dhe të detajuar të veprës, duhet ditur elementet letrare, duhet bërë analizën e personazheve, duhet ditur shënimet për autorin.
Analiza e veprës – “Vuajtjet e djaloshit Verter” është një prej veprave më të njohura dhe më ogurzi të historisë së letërsisë . Është vepër e parë tregimtare e Gëtes. Romani doli në kohë të duhur, duke përshkruar dhe duke përfshirë plotësisht imagjinatën evropiane, duke paraqitur rininë e ndjeshme që tentojnë e vetëvrasjen.
Ky ishte suksesi i drejtpërdrejtë i Gëtes. Ai vuri në lëvizje një zhanër të tërë letrar – Sturm ind Drang (Stuhi dhe vrull) si dhe karrierën e personit të parë letrar të famshëm.
Romani në kohën e vet ishte sensacion. Madje një kohë pati edhe parfum Verter, Eau de Wertwr që përdorej si inspirim dhe frymëzim për veprat, siç është opera “Verteri” e kompozitorit francez Zhyl Masenet (Jules Émile Frédéric Massenet, 1842-1912), romani “Frankenshtajni ose Prometeu modern” (Frankenstein, or The Modern Prometheus, 1818) i prozatores angleze Meri Sheli (Marry Wollstonecraft Shelley, 1797-1851) në të cilin përbindëshi mëson se si të bëhet njeri duke lexuar Verterin si dhe romani “Vuajtjet e reja të djaloshit V.” (1973) i shkrimtarit dhe dramaturgut gjerman Ulrih Plenzdorf (Ulrich Plenzdorf, 1934-2007) .
Gëte ndihmoi në krijimin e romantizmit. Ofroi edhe pasqyrën e një fjalori të shqetësimeve të të rinjve që kanë mbërritur deri në ditët e sotme.
Romani është pak a shumë autobiografik. Në vitin 1772 Gëte ishte shegert i ri juridik dhe jetonte në Vetzlar. Aty mbase e kishte vendosur edhe Verteri. Këtu i lindi një pasion i zjarrtë ndaj një vajze që quhej Sharlota Buf (Charlotte Buff, 1753-1828). Ajo ishte e fejuara e shokut të tij Johan Kristian Kestner (Johann Christian Kestner, 1741-1800). Trekëndëshi që pasoi u tregua për Gëten tejet i dhimbshëm. Ai shqyrtonte mundësinë e vetëvrasjes para se të zgjidhte vuajtjen e vet për Sharlotën.
Ndërkohë, një mik i Gëtes i quajtur Jeruselum, ishte në një situatë të ngjashme të magjepsjes me një grua të martuar. Si rrjedhojë, vrau veten. Rrëfimi i Jeruselumit e fascinoi Gëten dhe ai u identifikua me vuajtjet e imagjinuara të personave që i njihte, duke u bazuar në përvojat e veta, përfshi edhe Verterin.
Verteri mbetet vepër më e popullarizuar e Gëtes, madje edhe më e popullarizuar se “Fausti”, edhe pse lexuesit e sotëm veprën e tij do ta lexojë më me arsye se lexuesit e fundit të shekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit XIX. Libri qëndron si një rrëfim i punuar pothuajse në mënyrë të përkryer,
Libri figuron (ironike për një vepër të përfshirë nga ndjenja dhe spontaniteti) si një rrëfim i përpunuar gati në mënyrë të përsosur, i vëzhguar nga afër dhe i realizuar me mjeshtri, me shumë detaje paradoksale. Jo vetëm që vepra është një lloj kapsule kohore, duke na lejuar një vështrim në një epokë pasioni dhe morbiditeti të pashoq, por gjithashtu tejkalon kohën e saj si një meditim mbi skajet e pikëllimit rinor. Puna në këtë vepër është një kapsollë kohore e përkryer. Autori na mundëson të shohim kohën e pasionit të pakrahasueshëm dhe të morbiditetit, por edhe e tejkalon kohën e vet si meditim për skajshmëritë e pikëllimit rinor.
Elementet letrare të veprës
Ky roman i përket gjinisë letrare epike, llojit letrar – roman lirik, epistolar (në formë letrash). Veprimi zhvillohet në shekullin XVIII në Gjermani, Valhajm (Wahlheim).
Trajtohet tema e dashurisë dhe obsesioni i Verterit me gruan që nuk mund ta ketë. Ajo i shkakton më shumë dhimbje sesa hare. Ai ndjen se nuk i përket kësaj bote dhe shoqërisë në të cilën jeton.
Ideja e veprës është: Ndonjëherë vdekja duket si rrugëdalje e vetme nga problemet emocionale.
Përfundimi i romanit: “Atë natë rreth njëmbëdhjetë varrmihës e varrosën Verterin në vendin qe kishte zgjedhur vetë ai. Plaka dhe djemtë e saj e përcollën kufomën për në varreza. Alberti nuk mundi. Jeta e tij ishte në rrezik. Arkivolin e mbanin punëtorët. Në varrim nuk mori pjesë asnjë prift.”
Personazhe të veprës janë Verteri, Lota, Alberti..
@tetovanews
@tn.lajmelokale