Ballina Bota Analiza/ Pse Donald Trump është i paaftë të vendosë vetë ç’do bëjë...

Analiza/ Pse Donald Trump është i paaftë të vendosë vetë ç’do bëjë me Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump po alternon kërcënimet ushtarake dhe hapjen ndaj dialogut me Teheranin. Por po rritet frika mes evropianëve se Shtëpia e Bardhë do të udhëhiqet përsëri nga kryeministri i Izraelit nëse Ajatollahët nuk pranojnë të negociojnë pa kushte.

Sa vlejnë dy javë për Donald Trump? Në realitet, pyetja kryesore është: sa larg do të shkojë Benjamin Netanyahu në 15 ditët e ardhshme?

Presidenti amerikan ka marrë kohën e tij, pas luhatjeve të shumta që, edhe një herë, e kanë futur komunitetin ndërkombëtar në rrëmujë. Në qarqet diplomatike evropiane, interpretimet e fjalëve dhe parashikimet për lëvizjet e tij të ardhshme po shumëfishohen. Pika fillestare është fraza e Trump: “Unë mund të bombardoj Iranin, por dhe mund të mos e bëj”. Trump shton se ende ekziston mundësia e një negociate bërthamore me Teheranin.

Por, në këtë pikë (ky është mendimi i përhapur gjerësisht midis qeverive aleate) nuk është më e mjaftueshme të studiohen ekuilibrat e brendshëm të pushtetit brenda Administratës së Uashingtonit. Në të vërtetë, ndoshta kjo ka pak dobi.

Ne e dimë që Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio ka qenë gjithmonë një mbështetës i vijës së ashpër kundër ajatollahëve. Lëvizja “Maga”, nga ana tjetër, po përpiqet të shmangë çdo ndërhyrje të armatosur nga SHBA-të në Lindjen e Mesme, e gjetkë.

Sa do të peshojnë këto dinamika? Rubio gjithmonë i është përshtatur humorit të Trump, edhe nëse ai kundërshton hapur bindjet e tij personale. Rasti më i njohur: hapja ndaj Vladimir Putinit, të cilin Rubio, kur ishte ende senator, e konsideronte “një gangster, një horr, një kriminel lufte”.

Sa u përket udhëheqësve të lëvizjes Maga, asnjëri prej tyre, duke filluar nga Steve Bannon, nuk është pjesë e Administratës. Ata janë personazhe në kërkim të vazhdueshëm të vëmendjes, por ndikimi i tyre në Zyrën Ovale është praktikisht zero. Trump nuk është një president që kandidon për rizgjedhje dhe, në çdo rast, ai ka treguar se mund të tërheqë me vete edhe thelbin e fortë të bazës së tij kudo që të dëshirojë.

Këtë herë, megjithatë, skenari dominohet nga një figurë e jashtme: pikërisht nga Netanyahu. Muajt e fundit, kryeministri izraelit ka arritur të ruajë iniciativën, duke e vënë vazhdimisht Trumpin para faktit të kryer.

Ka shumë diskutime rreth dinamikës që i parapriu sulmit me avionë izraelitë kundër reaktorëve bërthamorë iranianë, i cili filloi natën midis 12 dhe 13 qershorit. Epo, vetëm tre ditë më parë, të hënën më 9 qershor, Trump u tha gazetarëve se ishte i sigurt për rezultatin e negociatave për bombën atomike dhe, në fakt, njoftoi se Irani ishte përfshirë edhe në negociatat për Gazën.

Më 12 qershor, Trump u përball me vendosmërinë e Netanyahut. Ai nuk e ndali atë, ndoshta sepse nuk do të kishte qenë aq e lehtë. Ai nuk iu bashkua sulmeve. Ai dha dritën e verdhë, sikur të thoshte, ju jeni një shtet sovran, vazhdoni siç e shihni të arsyeshme dhe pastaj do ta shohim.

Është i njëjti kusht i “mbivendosjes” që është i nënkuptuar në zgjedhjen e Trump për të vendosur këtë afat dy-javor tani. Trump pret një sinjal nga Ajatollahët: Respektimin e një negociate pa kushte paraprake.

Por rreziku është që Netanyahu, edhe një herë, të përcaktojë zhvillimet e krizës, duke e detyruar Trumpin të vendosë se si ta ndryshojë ngjyrën e semaforit: “të kuqe”, që do të thoshte bllokim, ndër të tjera, të përmbysjes së planifikuar të regjimit në Teheran; ose “të gjelbër”, që do të thotë dritë jeshile për një ndërhyrje ushtarake pak a shumë të kufizuar nga SHBA-të. Drita “e verdhë” është një fazë e ndërmjetme që nuk mund të zgjasë shumë, ndoshta as dy javë. ©Corriere della Sera, përshtati në shqip LAPSI.al