Nuk qe e thënë që të fitonim. Edhe pse ishim 11 metra pranë sërish nuk ia dolëm në derbin e Ballkanit dhe në duelin direkt për kualifikim në Botëror, Serbinë.
Plot 20 427 tifozë mbështetën fuqishëm kombëtaren, e cila pati një provë të vështirë dhe me shumë emocione në “Arenën Air Albania”.
Serbia e nisi më mirë ndeshjen, duke ushtruar presion dhe provuar portën e Strakoshës, ndonëse pa rrezik.
Më pas, kuqezinjtë u përshtatën me njëri-tjetrin dhe nisën të qarkullonin më mirë topin. Mitaj dha sinjalin e parë, ndërsa më I rrezikshmi siç pritej ishte Armando Broja.
Sulmuesi më I talentuar I kombëtares shkaktoi panik në të djathtë, ku luajti në vend të Asanit, duke fituar goditje dënimi, e duke kërkuar tjetër faull pas një depërtimi spektakolar.
Gjithsesi, momenti kulmor e që ndoshta mund të kishte vendosur ndeshjen erdhi pikërisht në minutën e fundit.
Elseid Hysaj, në formë shumë të mirë deri në atë kohë, krijoi një aksion krejtësisht personal dhe fitoi penallti.
U prit që goditja të ishte e Asllanit, specialistit tek Interi që realizoi dy 11-metërsha radhazi në Serinë A, por goditjen e mori përsipër Manaj.
Sulmuesi goditi dobët dhe Petroviç grushtoi. Ndeshja ishte vërtet e bukur, me ritëm dhe emocione, dhe kështu vazhdoi pas pushimit.
Broja krijoi direkt mundësi me të nisur pjesa e dytë, por Serbia u përgjigj.
Vlahoviç dhe Samarxhiç treguan klasin e tyre, duke rrezikuar, por për fat një herë na shpëtoi Strakosha, dhe herën e dytë fati. Një moment delikat ishte brenda zonës në 58’ kur miqtë kërkuan penallti, por në të vërtetë nuk pati asgjë. Gjithsesi, momenti më I mirë pas penalltisë ishte ai I Nedim Bajramit.
I futur në fushë bashkë me Dakun, lojtari ofensiv I Rejnxhërsit mori një pasim të mrekullueshëm pikërisht nga sulmuesi I Rubinit.
Megjithatë, gjuajtje më e dobët nuk mund të bëhej.
Kombëtarja luajti një ndeshje me mjaft karakter përballë një kundërshtari me potencial dhe talent më të madh.
Shqipëria ishte më afër fitores, pati rastet më të pastra, por fatin nuk e pati me vete.
Gjithsesi, pavarësisht masave të jashtëzakonshme të marra nga autoritetet, nuk munguan hedhjet e shisheve.
Plot tri herë u përsërit I njëjti veprim, madje në të tretin rast arbitri italian Davide Masa paralajmëroi ndërprerjen e ndeshjes.
Barazimi 0-0 na I pakëson mundësitë për kualifikim, por gjithçka mbetet e hapur për të shkuar në Botëror.
@tetovanews
@tn.lajmelokale