Ballina Bota Evropa përfshihet nga një tjetër valë e fuqishme të nxehti! Alarm në...

Evropa përfshihet nga një tjetër valë e fuqishme të nxehti! Alarm në Itali, Francë, Spanjë dhe Ballkan

Evropa po përballet me një valë tjetër ekstreme të të nxehtit, me temperatura të larta që kanë detyruar autoritetet në disa vende të shpallin alarme të nivelit të lartë. Ndër vendet më të goditura janë Italia, Franca, Spanja, Portugalia dhe rajonet e Ballkanit, ku temperaturat kanë arritur ose pritet të arrijnë nivele të rrezikshme.

Në Itali, rreth 20 qytete, përfshirë Romën dhe Venecian, janë vendosur në “alarm të kuq” nga Ministria e Shëndetësisë për fundjavën, për shkak të temperaturave që përbëjnë rrezik për të gjithë popullatën, jo vetëm për grupet e ndjeshme. Italia mban ende rekordin për temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Evropën kontinentale: 48.8°C në vitin 2021.

Në Francë, katër rajone mesdhetare (Bouches-du-Rhône, Gard, Hérault dhe Pyrénées-Orientales) janë në “alarm portokalli” për shkak të temperaturave të larta, që pritet të arrijnë deri në 39°C gjatë fundjavës, ndërsa netët do të jenë po ashtu të nxehta për shkak të temperaturave të larta të ujit në Mesdhe. Në total, 14 rajone franceze janë aktualisht në alarm për mot ekstrem.

Në jug të Spanjës, meteorologët parashikojnë temperatura deri në 42°C, me ditët më kritike të parashikuara për të dielën dhe të hënën. Netët pritet të jenë të papërballueshme, me temperatura që nuk zbresin nën 25°C.

Edhe Portugalia është përfshirë nga vala e të nxehtit. Të dielën, dy të tretat e territorit do të jenë në alarm portokalli, me 42°C të parashikuara në kryeqytetin Lisbonë dhe rrezik maksimal për zjarre në natyrë.

Ballkani nuk ka mbetur jashtë kësaj vale. Në Serbi, temperaturat gjatë ditës së premte kanë shkuar deri në 39°C, afërsisht 10 gradë mbi mesataren sezonale. Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, ndërsa valët e të nxehtit pritet të përshkallëzohen edhe në ditët në vijim.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo valë është një ndër më të hershmet e regjistruara në dekadat e fundit dhe mund të zgjasë më gjatë se zakonisht, me pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin publik dhe mjedisin.